Aktualitet Kërkesat e mjekëve, Manastirliu: Tryezë pune nga java e ardhshme

Kërkesat e mjekëve, Manastirliu: Tryezë pune nga java e ardhshme

Pas dorëzimit në Kryeministri të kërkesave të mjekëve, përfaqësuesi i sindikatës, mjeku Gentian Stroni, u shpreh pas takimit me ministren se qeveria i ka vlerësuar si të drejta 4 kërkesat e tyre.

“Nga pala qeveritare u panë të drejta 4 kërkesat tona. Hodhëm bazat e para të një bashkëpunimi dhe krijuam një kalendar për të gjitha kërkesat tona. Nga java që do të vijë, ne do të kemi grupet tona të punës, nga sindikata dhe nga pjesa qeveritare, për të arritur në përfundimet që ne do të donim të ishim. Do të jetë pjesë e një tavoline tjetër me grupe më të vogla”.

Ministria Manastirliu u shpreh se qeveria ka vullnet për të përmbushur kërkesat dhe nga java e ardhshme do të fillojnë tryezat e punës.

“Kemi diskutuar shumë konkretisht për pikat që janë përcjell. Kemi një rrugë të gjatë përpara për të adresuar të gjitha kërkesat e sindikatës. Kemi vendosur që tryezat e punës të fillojnë nga java e ardhshme. Ura e komunikimit me mjekët është tashmë e konsoliduar. Mjekët e infermierët e kanë Ministrinë e Shëndetësisë shtëpinë e tyre. Ne jemi të bindur që jemi duke punuar për të bërë më të mirën edhe në këtë situatë pandemie. Ne do t’i dëgjojmë dhe do t’i marrim mendim. Ata do të vendosin për të ardhmen e tyre dhe për pikat që kërkojnë. Çështjet adresojnë situata të ndryshme dhe kërkojnë edhe ekspertizë ndërkombëtare. Qeveria ka vullnet për të përmbushur kërkesat e mjekëve dhe infermierëve. Fakti që jemi të gjithë së bashku në çdo moment tregon vullnetin për të bërë më të mirën për shoqërinë. Jemi këtu për konsolidimin e kësaj platforme”, u shpreh Manastirliu.

Mjekët kanë bërë 4 kërkesa kryesore në këtë situatë pandemie që pritet të përkeqësohet me uljen e temperaturave dhe shfaqjen e gripit stinor.

Ata kërkojnë shpalljen “Dëshmorë të Kombit” të personelit shëndetësor që humb jetën duke luftuar Covid-in, sigurimin e jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë. Rritje te trajtimit financiar të personelit shëndetësor, si dhe kushte optimale në punë për parandalimin e infeksionit.