KLGJ ka vendosur këtë të martë unanimisht që për shkak te situatës emergjente të krijuar për shkak të mosfunksionalitetit të Gjykatës së Lartë të operojë me caktimin e gjyqtarëve nga gjykatat më të ulëta në Gjykatën e Lartë për çështje të caktuara gjyqësore.
Mosfunksionaliteti i Gjykatës së Lartë prej muajsh tashmë mund të sjellë një rëndim të situatës mbi Buxhetin e Shtetit, pasi siç argumenton nënkryetari i KLGJ, Maks Qoku, mund të ketë një eksod të dosjeve e ankimeve në Strasburg.
Duke radhitur si problematike emergjente për vënien në shinat e funksionalitetit të Gjykatës së Lartë, nënkryetari i KLGJ, Maks Qoku, u ndal gjatë mbledhjes së KLGJ edhe te fakti se mosngritja e Gjykatës së Lartë do të dëmtojë si imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare pasi do të lirohen personat e ndaluar për ekstradim, por edhe Buxhetin e Shtetit, pasi mund të ketë eksod të çështjeve që mund të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut.
“Problematikë është shqyrtimi mbi kompetencat mes gjykatave; Pamundësia e shqyrtimit të çështjeve civile me objekt rekursi persa i përket sidomos ankimeve të individit, por edhe ankimeve të shtetit që dëmtojnë buxhetin e shtetit. Problematikë është edhe “eksodi” i çështjeve që mund të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut ne rast mos funksionimi vazhdues të Gjykatës së Lartë”, u shpreh Qoku gjatë mbledhjes.
Por cila mund të jetë zgjidhja?! Nënkryetari i KLGJ, Maks Qoku theksoi se zgjidhja është ndërhyrja emergjente për plotësimin e trupës me të paktën anëtarët jo gjyqtarë. Por edhe kjo zgjidhje do të kërkojë të paktën tre muaj, e për këtë arsye nënkryetari Qoku parashtroi edhe një zgjidhje alternative që është delegimi i përkohshëm i anëtarëve të Gjykatave më të ulëta në Gjykatën e Lartë, deri në vendosjen në shinat e e funksionaliteti të Gjykatës së Lartë, një formulë e vënë në dukje muaj më parë edhe nga Euralius.
Propozim, ky i cili u miratua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Konkretisht anëtarët e Gjykatës së Lartë do të zgjidhjen me short për çështje të caktuara nga Gjykatat e Apelit, si edhe duhet të kenë mbi 13 vite eksperiencë.
Këtë mërkurë është afati i fundit i personave, jo gjyqtarë, të interesuar për të kandiduar për Gjykatën e Lartë. Deri më tani janë regjistruar si kandidatë vetëm katër persona, por në orët në vijim pritet të ketë edhe emra të tjerë që do të regjistrohen.