Kur e pyetën për lojën e Barçës, që ndaj Granadës u reduktua në një seri të gjatë krosimesh për Luuk de Jong dhe Gerard Pique që hyri në minutën e 75-të për të bërë qendërsulmuesin, Ronald Koeman u përgjigj: “Është e thjeshtë, shikoni listën e lojtarëve të grumbulluar, çfarë duhet të bëjmë? Të luajmë tiki-taka ku nuk ka hapësirë? Bëmë atë që duhej bërë, provuam ta ndryshonim ndeshjen në një mënyrë tjetër. Nuk kemi lojtarë që të kalojnë kundërshtarin një për një apo në shpejtësi. Nuk mund të them më tepër”.
Kjo është situata te Barcelona, ku pas disfatës poshtëruese 3-0 ndaj Bayernit, erdhi edhe barazimi 1-1 me Granadan që në javën e pestë kërkon ende fitoren e saj të parë në La Liga. Barazim i vuajtur i katalanëve në të 90-ën me Araujo. Tiki-Taka nuk ekzistoi, Barcelona ngjante me një skuadër angleze të viteve 70-të.
Koeman nuk dorëzohet, por e di që Presidenti Joan Laporta, pasi i kishte thënë qartë se nuk ishte i bindur për qëndrimin e tij në stolin e Barçës, e konfirmoi vetëm se i mungonin alternativat. Megjithatë holandezi del hapur teksa shprehet: “Kjo nuk është Barcelona e 8 viteve më parë dhe me lojtarët që kemi në dispozicion bënë maksimumin“.
Gjithsesi tekniku holandez i ka “orët e numëruara”, por problem është se pushimi i tij nga puna kushton, ashtu si edhe gjetja e një zëvendësuesi. Dhe kjo Barcelonë para nuk ka.
Koeman do të qëndrojë të paktën deri në ndeshjen e së enjtes me Cadiz. Pastaj luan sërish në shtëpi me Levanten dhe më vonë është transferta delikate për të sfiduar Benfikën në Champions.
Kalendar i komplikuar edhe për sa i përket gjetjes së një zëvendësuesi. Në mendjen e Laporta-s ka shumë emra, por Xavi është tërhequr prej kohësh, ashtu si dhe Jordi Cruijff, i marrë në rolin e drejtuesit dhe që e ka bërë të qartë se nuk do të kalojë nga tavolina në stol.
Katalani Roberto Martinez pëlqehet shumë, por është i lidhur me Belgjikën, ndërsa Antonio Conte, duke lënë mënjanë stilin e tij të lojës, është jashtë kapaciteteve ekonomike. Qarkullon edhe emri i Andrea Pirlos që në “Camp Nou” e adhuronin si lojtar.
Listës prej tre trajnerëve kandidatë si Conte, Pirlo dhe Xavi, i shtohet edhe Philip Cocu, që në sezonin e shkuar drejtoi Derby County në ligën e dytë angleze. Por sipas gazetarit Gerardo Moreno, megjithatë, Laporta preferon Andrea Pirlon.