Kolumbiani Hiwlenn Ledezma Narvaez i njohur me nofkën “Gafas 1”, i arrestuar në mesin e Nëntorit në Shqipëri bashkë me 9 të tjerë në kuadër të një operacioni që çoi në zbulimin e një laboratori kokaine në Fushë-Krujë, rezulton të jetë kreu i një grupi kriminal në vendin e Amerikës Latine.
Autoritetet shqiptare dyshojnë se ai bashkë me dy të tjerë janë përgjegjës për dy episode të trafikut të kokainës nga Republika Domenikane drejt vendit tonë.
“Gafas 1” ndodhej në Tiranë që prej Nëntorit 2023, kohë kur në Kolumbi u organizua një operacion nga DEA, për të goditur grupin e tij. Në atë operacion ra në pranga edhe shqiptari Klodian Zaimi, si person që pastronte paratë e përfituara nga trafiku i drogës. Referuar informacioneve të SPAK, Zaimi është person i afërm i Artion Çaushllarit, i arrestuar bashkë me kolumbianin në Shqipëri.
Nga Nëntori i 2023 deri në momentin e arrestimit kolumbiani që jetonte në rrugën Mylsym Shyri në Tiranë, është mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim ambiental e telefonik.
Këto vëzhgime kanë treguar se kolumbiani “Gafas 1” dhe Artion Çaushllari kishin lëvizur së bashku në Durrës, Tiranë dhe Pogradec, që SPAK i lidh me episode të përpunimit të kokainës me kontakte për të bërë të mundur trafikimin e saj.
Hetimet për këtë dosje, janë vijim i hetimeve që u kryen për laboratorin e kokainës të zbuluar në vitin 2022 në Frakull të Fierit, ku gjithashtu kishte shtetas kolumbianë që bashkëpunonin me trafikantët shqiptarë.