Baza e Kuçovës do të shërbejë si bazë ajrore e NATO-s.
Ky fakt u konfirmua nga vizita e sotme në Tiranë e komandantit të Forcave Ajrore të NATO-s, Gjenerali Tod Wolters.
Gjatë konferencës për shtyp, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka bëri me dije se investimi i NATO në bazën ajrore të Kuçovës do të bëhet gjatë 5 viteve të ardhshme. Ajo e quajti një lajm të jashtëzakonshëm.
“Shqipëria është një vend i sigurtë ku aleanca do të investojë kapacitetet e saj. Investimi i NATO-s në Kuçovë është i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe për atë rajonale. Brenda pak muajsh do të jetë gati masterplani nga Agjencia e NATO për Prokurimet dhe Mbështetjen”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.
Kurse Gjenerali i NATO, Tod Wolters tha se baza ajrore në Kuçovë do të jetë një inovacion dhe do të ketë shtim të kapaciteteve.
Wolters ka deklaruar se baza ajrore e Kuçovës në Shqipërisë do ketë kapacitete të veçanta për të garantuar sigurinë e aleatëve, por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, gjenerali Wolters ka vlerësuar Shqipërinë jo vetëm për mikpritjen.
“Është bërë një punë shumë e mirë në bazën ajrore. Do vazhdojë përmirësimi i infrastrukturës në bazë. Do ketë një ekip ajror që do bashkohet”.
Ai u shpreh se Shqipëria ka dhënë kontributin e saj në NATO, duke dhënë të gjitha përpjekjet e saj për aleancën.
Sipas tij, Kuçova ka disa karakteristika të veçanta.
“Është në një vendndodhje të mrekullueshme gjeografike, e cila të lejon të bësh atë çfarë kemi menduar, përfshi këtu edhe klimën e mirë që ka”, u shpreh Wolters.
Gjenerali Tod Wolters është komandant i forcës ajrore amerikane në Europë dhe Afrikë si dhe komandant i Komandës Ajrore të NATO-s. Ai është gjithashtu përgjegjës për mbrojtjen ajrore të 29 vendeve anëtare të NATO-s teksa komandon forcat ajrore amerikane në një hapsirë prej 19 milionë milje katrorë.
Kjo zonë përfshin 104 vende në Europë, Afrikë, Azi dhe në Lindjen e Mesme, në Arktik, Atlantik dhe oqeanin Indian.