Presidenti Donald Trump i është referuar për herë parë koronavirusit COVID-19 si “virusi kinez”. Kjo gjë ka krijuar tension mes dy ekonomive më të mëdha botërore pasi fajësojnë njëra-tjetrën për pandeminë.
“Shtetet e Bashkuara do të mbështesin këto industri, si linjat ajrore dhe të tjerat, të cilat janë veçanërisht të prekura nga virusi kinez”, shkruante Trump në Twitter. Më herët, Presidenti amerikan e pati quajtur sëmundjen si një “virus i huaj”.
Që pas përhapjes së COVID-19 në Kinë, SHBA dhe rreth botës, të dy vendet kanë hedhur akuza mbi origjinën e saj. Tensionet vijnë pas përplasjeve të dy ekonomive më të mëdha të botës që variojnë që nga tregtia, konkurrenca ushtarake deri tek pajisjet e Huawei-t.
Ministri kinez për Punët e Jashtme, Geng Shuang, tha gjatë një konference se komenti i Trump njollos Pekinin.
“Jemi shumë të inatosur dhe e kundërshtojmë me forcë. Shtetet e Bashkuara duhet të korrigjojnë gabimin dhe të ndalojnë së sulmuari pa arsye Kinën”, tha ai.
Javën e kaluar një zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze hodhi teorinë konspirative se ushtria amerikane ka pasur rol në shpërndarjen e virusit.
“Çdo skemë për të njollosur Kinën do të dështojë, dhe çdo përpjekje për të dëmtuar interesin e Kinës do të kundërshtohet me vendosmëri”, i tha zëdhënësi Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo gjatë një bisede telefonike.
Pas kësaj, Pompeo i tha një diplomati kinez se administrata Trump e kundërshton me forcë përpjekjet e Kinës për ta zhvendosur fajin tek SHBA-të.
“Kjo nuk është kohë për të shpërndarë keqinformacione dhe thashetheme, por të gjitha vendet duhet të bëhen bashkë kundër këtij kërcënimi të përbashkët”, mësohet të jetë shprehur Pompeo.