“Inkurajoj të gjitha partitë, brenda dhe jashtë parlamentit që të bëjnë sërish përpjekje dhe të arrijnë një marrëveshje. Kjo është një reformë e rëndësishme që duhet përmbyllur dhe do të ishte fatkeqësi për ta humbur këtë moment të rëndësishëm. Shpresoj në një marrëveshje, është thelbësore”.
Është kjo deklarata e Komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi, në një postim në Twitter. Reagimi i tij vjen pas skadimit të afatit për përmbylljen e Reformës Zgjedhore, që ishte 31 Maji.
Deklaratën e Komisionerit e përshëndeti kreu i PD, Lulzim Basha, i cili reagoi gjithashtu në Twitter.
Basha e falenderoi Varhelyi-n për angazhimin e tij për arritjen e një konsensusi mes të gjitha partive ndërsa theksoi se “opozita është plotësisht e angazhuar dhe po kontribuon për të përmbyllur reformën me garancinë e mjaftueshme për një proces elektoral të drejtë”.