“Shtëpia Muze e At Gjergj Fishtës, e cila u përurua me 23 Tetor të vitit 2020, vijon të jetë e kyçur. Objekti në fshatin Fishtë të Lezhës, po mbahet peng i mosmarrëveshjeve për pronën duke bërë që shtëpia ku ka jetuar kolosi i letrave shqipe, të jetë e paaksesueshme për vizitorët”, raporton gazetari Martin Marku.
Ky investim që kushtoi 5.5 mln lekë, ende nuk dihet se kur do të jetë e aksesueshme për vizitorët, ndërsa në një përgjigje për Televizionin Klan, Ministria e Ekonomisë, Kulturës pranon ngërçin e pronësisë, që akoma nuk ka gjetur zgjidhje.
“Banesa ku ka jetuar At Gjergj Fishta ka pretendime pronësie nga trashëgimtarë, me lidhje farefisnore me Fishtën. Për këtë shkak të referuar më sipër, aktualisht banesa nuk është e aksesueshme për vizitorët.”
Paralelisht me inaugurimin, u prezantua edhe projekti “Gjurmë Fishtiane”, një itinerar kulturor që synon të evidentojë stacionet e jetës së figurës së Gjergj Fishtës. Përveç shtëpisë ku kaloi fëmijërinë, një tjetër ndalesë ku është punuar është kjo godinë e ngritur në gjurmët e shtëpisë ku lindi Ati françeskan. Memoriali i Fishtës, kështu do të quhet ndalesa e radhës që ka mbyllur punimet.
“Vetë kompleksi nuk i kushtohet drejtpërsëdrejti At Gjergj Fishtës. Ai është konceptuar si një hapësire kulturore multifunksonale, e cila rrit atraktivitetin e zonës. Godina është konceptuar të përdoret si një rezidencë artistësh, ndërsa objekti Kullë është konceptuar si një galeri /sallë ekspozitash.”
Gjithsej, ky projekt përfshin 10 stacione fillestare, ku Gjegj Fishta ka kaluar jetën e tij, mbi të cilat do të ngrihet itinerari pelegrinazhit të “Gjurmë Fishtiane”./Tv Klan