Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, u thirr për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta, ku shpjegoi procedurën e ndjekur me vakancat për në Gjykatën Kushtetuese.
Dvorani i cilësoi akuzat e Metës, si spekulative dhe politike.
“Nuk ka asnjë skenar të natyrës politike me listat dhe kohën e dërguar prej tyre. Çdo vendim i KED bëhet publik në faqen zyrtare, në rendin e ditës. Në 21 shtator, nuk e kishim fare në diskutim çështjen e ligjit. Përfaqësuesi i Presidentit tejkaloi kompetencat. Të ftuarit kanë statusin e vëzhguesit”, tha Dvorani.
Gjatë fjalës së tij, Dvorani justifikoi veprimet e KED për shpalljen e njëkohshme të listave, me faktin se sipas tij ishin tejkaluar të gjitha afatet. Sipas Dvoranit, KED e vitit 2017 dhe 2018 nuk kishte funksionuar, ndaj në vitin 2019 kishte një punë të shtuar për të përmbyllur të gjithë procedurat për plotësimin e vakancave.
“Vendet vakantet që do të krijoheshin kohë pas kohe nga njëra-tjetra. Në vitin 2019 për shumë arsye, ku së pari për shkak të vettingut, u krijuan të gjitha vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. KED e vitit 2017 dhe 2018 nuk funksionoi. Kështu që KED e vitit 2019 u ngarkua të bënte gjithçka. Së pari duhet të miratonim të gjitha aktet nënligjore. Ky proces na mori disa muaj”.
Më tej, ai shtoi se KED nuk pati kohë edhe për shkak se deri në prill të vitit 2019 iu desh të plotësonte aktet nën ligjore për verifikimit të kandidatëve.
“Deri në fillim të muajit prill ne përfunduam paketën e akteve. Ne filluam verifikimin e të gjitha vakancave njëherësh. Ne ishim në kushtet kur të gjitha afatet ishin të tejkaluara, dhe duhet t`i bënim të gjitha njëherësh. Kjo u kushtëzua dhe nga një fakt tjetër, sepse në listat kishte më shumë se një kandidatë që kandidonte për më shumë se një vakancë. Këto nuk kanë ndikim te njëri-tjetri në kuptimin e paragjykimit të procesit”.
Më tej, ai tha se një tjetër problem ishte dhe fakti se nga 57 kandidatura për vakancat e Gjykatës Kushtetuese mbetën në garë vetëm 6 për të gjitha vendet vakante.