Një e moshuar, së cilës i është kthyer i biri në shtëpi sipas një vendimi të Gjykatës së Tiranës ndihet e frikësuar për jetën dhe për këtë shkak ajo e ka ridenoncuar djalin për dhunë. H. V (të dhënat e gruas gazeta “Si” i disponon, por nuk po i publikon për të ruajtur identitetin e saj) e moshës 76 vjeç është riparaqitur në polici menjëherë sapo të birit i ka përfunduar arresti me afat 20 ditë burg. Konkretisht, nga dokumentet që gazeta “Si” disponon thuhet se më 24 dhjetor 2019, i riu Xh. V u la me arrest me afat 20 ditë, vendim numër 2804, pas dhunës që ai kishte ushtruar në familje. Por, 76-vjeçarja ka shtuar detaje që tregojnë se veç tentativës që kishte bërë i biri për ta goditur me levë, ai në një rast ka tentuar edhe ta helmojë. Në këtë rrethanë pritet që prokuroria të ndryshojë qëndrim dhe të kërkojë një masë më të fortë.
Dëshmia e të moshuarës: Në mëngjes, ora 9.30 erdhi në banesë djali im, i cili prej 1990-s jeton në Gjermani. Ai pa na pyetur filloi të nxjerrë sendet nga banesa, i thashë çfarë po bën, ai shkëputi nga toka një levë hekuri dhe gjuajti ndaj djalit tjetër. I thashë “shko në gjykatë, fito pronësinë e shtëpisë”. Djali më shtyu dhe më rrëzoi përtokë. Pikërisht, ky është momenti kur erdhi policia sepse kur ai mori levën, unë njoftova policinë. Në momentin kur erdhën policët, ai deshi të ikë. Kërkoj edhe urdhër mbrojtjeje për vete dhe për djalin tjetër. Ka dhjetë vjet që ai ushtron dhunë ndaj meje, sa herë vjen nga Gjermania. Ka ushtruar dhunë, më kapi siç isha, më hodhi përtokë. Sa herë vinte, unë dhunohesha prej tij. Këtë radhë unë nuk e durova dot më, pasi është shumë e rëndë që djali të rrahë nënën e tij. Im bir këtë radhë u konfliktua edhe me djalin tjetër, të cilin edhe atë deshi ta qëllojë me levë në kokë.
Sipas dosjes që gazeta “Si” disponon, e moshuara ka treguar edhe një rast tjetër, duke këmbëngulur se nuk e kishte denoncuar më parë, me shpresën se “kam menduar si nënë dhe shpresoja të ndryshonte”.
E moshuara: Ai jo vetëm që nuk po qetësohej, por e shtoi akoma më shumë dhunën ndaj meje dhe djalit tjetër. Konflikti mes nesh ka si bazë pronën. Ai kërkon letrat e të gjithë pronave që unë disponoj, ndërkohë që i kam thënë që “jo, kjo çështje do zgjidhet në gjykatë dhe jo me forcë siç e kërkon ti”. Dua të theksoj se para ca vitesh im bir më helmoi me kafe në shtëpinë time. Ai rreth mëngjesit më bëri kafe dhe ma solli. Sapo e piva kafen, ndjeva një idhtësi dhe nuk e piva më tej. Ai më thoshte “pije, pije”, më pas më filluan dhimbjet e barkut. Menjëherë më mori djali tjetër dhe më dërgoi në spital, atje mjekët më bënë serum. Nuk i tregova askujt se çfarë më kishte ndodhur. Çdo vit të ri që im bir vjen në shtëpi, ai më dhunonte. Unë nuk e fal më, pasi jam shumë e mërzitur, e trembur dhe e lënduar nga im bir. Është shumë i rrezikshëm po të vijë në shtëpi.
Prokuroria thotë për gazetën “Si” se do ndryshojë qëndrim dhe do ashpërsojë sërish qëndrim me gjithë masën lehtësuese që ka shpallur gjykata e kryeqytetit në datën 24 dhjetor, duke iu referuar disa veprimeve të tjera hetimore që i kanë shtuar dyshimet për rrezikshmërinë e të riut./ Gazeta “Si”