Politika Konspiracioni i Kryemadhit: Basha u kërcënua nga institucionet e Sorosit për marrëveshjen...

Konspiracioni i Kryemadhit: Basha u kërcënua nga institucionet e Sorosit për marrëveshjen e 17 majit

Opozita ka nisur përgatitjet për protestën e 16 shkurtit ku do të kërkojë rrëzimin e Edi Ramës, por ende ka dyshime nëse PD dhe LSI do t’i shkojnë deri në fund qëndrimit të tyre për të mos hyrë në zgjedhje me kryeministrin aktual.

Shumë madje aludojnë se do të ketë një çadër të dytë për t’i dhënë zgjidhje krizës aktuale politike, ose një marrëveshje të ngjashme me atë të 17 Majit Rama-Basha që shqiptarët të votojnë në 30 qershor, por kryetarja e LSI, Monika Krymadhi i ka hedhur poshtë këto zëra teksa në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka deklaruar se opozita ende nuk ka e marrë vendimin final, por 99.9% s’hyn në zgjedhje me Ramën.

“Opozita më shumë se kurrë, është më e qartë në qëndrimet dhe veprimet e saj. Çadra e bëri funksionin e saj, e uli Edi Ramën në tavolinë dhe lëshoi pesë ministra.

A jemi të vetëdijshëm, që Basha u kërcënua për të nënshkruar një marrëveshje nga institucione që ishin nën hyqmin e Soros?

Efekti çadër ka një gjë shumë të mirë, nuk ka më Edi Rama me Lul Bashën vetëm për vetëm. Sot, opozita më shumë se kurrë është e vendosur të ecë në një axhendë. Nuk ka qeveri teknike. Ka një qeveri tranzitore, e cila garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, që garanton hapjen e negociatave. Fronti opozitar e ka zgjidhjen politike për të gjitha llojet e varianteve, demokratike dhe popullore”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo tha më tej se opozita është me e vendosur se kurrë dhe se ka një axhendë të qartë që do formalizohet hap pas hapi. Duke e nisur nga përgjimet e dala në disa raste të zyrtarëve dhe të lartë, Kryemadhi tha se qeveria është e kapur në flagrancë.

Kryetarja e LSI shtoi më tej se krydemokrati Basha është kërcënuar për të bërë një marrëveshje më 17 maj 2017.

DEBATI:

Rakipi: A jeni marrë vesh me PD?

Kryemadhi: Edhe sikur të ndodhë efekti çadër nuk ka më Lul Bashë dhe Edi Rama vetëm për vetëm. Opozita është më e vendosur se kurrë për të ecur para.

S’ka më qeveri teknike, por qeveri tranzitore që iu garanton shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme, qeveri tranzitore që iu hap shqiptarëve negociatat.

Rakipi: Ju mund të ngrini dhe një çadër të re, por nuk do jetë vetëm Basha?

Kryemadhi: Nuk ka çadër, ka lëvizje.

Rakipi: Ju me zotin Edi Rama nuk kaloni në zgjedhje?

Kryemadhi: Jemi 99% të qartë në këtë vendim, por shumë shpejt do kalojmë në hapa të mëtejshëm për ta formalizuar këtë qëndrim.