Kryesore Kontrolli i banesës, Kushtetuesja zbardh vendimin për Ahmetajn: Nuk jemi si gjykatë...

Kontrolli i banesës, Kushtetuesja zbardh vendimin për Ahmetajn: Nuk jemi si gjykatë e shkallës së katërt

Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj. Mbledhja e gjyqtarëve vendosi me 8 vota pro dhe 1 kundër të Sonila Bejtjes që të mos pranonte për të kaluar për gjykim padinë e bërë nga Ahmetaj.

Nëpërmjet avokatëve të tij ish-zëvendëskryeministri në thelb të kërkesës së tij ka pretenduar se i është cenuar e drejta për proces të rregullt ligjor.

Ata kanë theksuar se vendimi për lejimin e kontrolleve është dhënë në Gjykatën e Shkallës së Parë bazuar vetëm në kërkesën e prokurorit dhe gjykatat në interpretim të ligjit kanë nxjerrë përfundimin se vendimi i dhënë është i paankimueshëm. Sipas avokatëve ky vendim nuk është i drejtë pasi u është kufizuar e drejta e kundërshtimit të kontrolleve në gjykatë dhe e drejta e ankimit në një gjykatë më të lartë.

Mbledhja e gjyqtarëve ka argumentuar se avokatët kanë kundërshtuar vendimin e Gjykatës se Posaçme të Apelit dhe të Gjykatës së Lartë që nuk kanë pranuar ankimin e tyre dhe jo vendimin e dhënë nga gjyqtari i Shkallës së Parë, që lejoi kontrollin personal dhe të banesës në pronësi të bashkëjtueses së Arben Ahmetajt.

Gjykata Kushtetuese ka argumentuar se kodi i procedurës penale ka parashikuar se mund të bësh ankim të veçantë për refuzim të kërkesës për kontroll brenda 24 orëve, ndërsa për vendimin që e lejon kontrollin nuk ka parashikuar të drejtën e ankimit.

“Mbledhja e Gjyqtarëve rithekson se nuk është detyrë e saj të interpretojë ligjin për qëllime të procesit gjyqësor që zhvillohet në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, pasi ajo nuk vepron si gjykatë e shkallës së katërt. Interpretimi i ligjit në vendimet e gjykatave të juridiksionit të zakonshëm nuk vihet në dyshim, përveç rasteve kur ai është arbitrar ose i paarsyeshëm”.

“Kushtetuesja” vlerëson se interpretimi i ligjit nga gjykatat posaçme nuk është arbitrar ose haptazi i paarsyeshëm që t’iu ketë cenuar kërkuesve të drejtat e aksesit dhe të ankimit efektiv.

“Mbledhja e Gjyqtarëve konkludon se pretendimet e kërkuesve se vendimet gjyqësore të kundërshtuara u kanë cenuar të drejtat e aksesit dhe të ankimit efektiv janë haptazi të pabazuara. Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se ankimi kushtetues individual nuk plotëson kriteret ligjore paraprake për pranimin e tij për shqyrtim në seancë plenare”.

Arben Ahmetaj akuzohet nga Spak për korrupsion pastrim parash dhe fshehje e pasurisë për çështjen e inceneratorëve. Ai është në kërkim nga drejtësia jonë dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg” në mungesë.

Ndërkohë për Ahmetajn mund të nisë edhe një betejë tjetër me drejtësinë për çështjen e shoqërisë Buka sha. Ai është marrë i pandehur për shpërdorim detyre, po çështja është në seancë paraprake, e cila do të zhvillohet në datën 2 shkurt.