Shefi i laboratorit të mikrobiologjisë, Andi Koraqi, në një intervistë për A2, deklaroi se laboratori për të kryer testet për COVID-19 është pothuajse gati.
“Po presim kitet nga mesi i javës dhe çdo gjë është gati”, tha Koraqi.
Kur u pyet se kur pritet të jetë piku i pandemisë në vendin tonë, Koraqi theksoi: “Ka shumë analiza, por sipas mendimit tim, kjo javë dhe ajo e ardhshmja mund të jenë javët e pikut. Izolimi mendoj se ka dhënë rezultate sepse nëse nuk do të ishin marrë masat e duhura në kohën e duhur, sot do të kishim 100 raste të reja në ditë. Këto javë do të jenë vendimtare, sigurisht që pritet rritje e numrit të të prekurve”.
Sipas tij, është e pamundur të thuhet se kur do të përfundojë kjo situatë e krijuar nga koronavirusi: “Ka shumë faktorë, që nga masat mbrojtëse e deri te faktorët klimaterikë. Është një virus i ri dhe nuk e dimë se si do të reagojë ndaj klimës apo lagështisë. Gjithçka që thuhet tani është hamendësim”.
Në lidhje me ilaçe eksperimentale për trajtimin e koronavirusit, Koraqi tha: “Deri tani, nuk ka asnjë medikament zyrtar. Gjithçka bazohet në statistika aktualisht. Kështu do të veprohet edhe te ne, duke marrë protokolle të gatshme nga OBSH-ja”.
Koraqi nënvizoi se mjekët në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët përdorin veshje specifike, ndërsa ata që nuk janë në kontakt të drejtpërdrejtë përdorin maska, doreza dhe përparëse.