Gjysma e dytë e Superiores nisi në Korçë me supersfidën Skënderbeu-Partizani, e cila startoi vetëm pas një minute heshtjeje, në nder të ish futbollistit të madh Vasillaq Zëri, që u nda nga jeta gjatë ditës së sotme.
Sfida në Korçë ishte e denjë për dy skuadra pretendente me Skënderbeun që ndezi shkëndijën e parë, por Hoxha iu përgjigj mirë gjuajtjes së Kristi Vangjelit.
Pak sekonda më vonë, ishin dy talentet e Partizanit, Asani dhe Mala, që zhbllokuan sfidën, me të parin që shërbeu në zonë mjaft bukur dhe të dytin që nuk fali duke mposhtur portierin Teqja.
Ishin minuta të mira për kryesuesit, që në të 11-ën provuan dhe me Telushin, ndërkohë që në të 12-ën goditën dhe korçarët, vetëm se ata të tribunave me topa bore në dëm të lojtarëve të Partizanit.
Në të 19-ën Muzaka dhe Otto Xhon nuk shtynë dot për në rrjetë një harkim të Marko Radasit nga këndi, ndërsa nga ky moment kishte më tepër iniciativë Skënderbeu, por rastin për të mbyllur ndeshjen e pati Partizani, me Lucas Cardozon, që në mënyrë të pabesueshme gaboi përballë Teqjas, edhe për meritë të këtij të fundit.
Gjithsesi mrekullitë e Teqjas nuk kishin përfunduar, pasi në të 52-tën Partizani fitoi një 11-metërsh për faull ndaj Asanit, pas sinjalizimit të anësorit Ermal Barushi, ndërkohë që kryesori Koçi kishte sinjalizuar për goditje dënimi. Telushi përballë Teqjas gaboi me këtë të fundit që mbajti në lojë korçarët.
Kur kishin mbetur edhe rreth 20 minuta nga fundi I takimit, mesfushori i sapofutur në fushë për Partizanin, Hila pësoi një goditje të rëndë dhe mbeti I shtrirë në tokë, për t’u dërguar më pas me ambulancë në spitalin rajonal të Korçës, ndërsa vendin e tij e mori sulmuesi Mensah.
Minutat e mbetura treguan një Skënderbe që kërkonte me nxitim golin e barazimit, duke gabuar shumë shpejt manovrat sulmuese, ndërsa nga ana tjetër, Partizani ishte rreshtuar mirë mbrapa dhe shfrytëzonte kundërsulmet e shpejta, për të kërkuar golin e qetësisë.
Plot 7 minuta shtesë u akorduan nga gjyqtari kryesor Andi Koçi, të cilat prodhuan 2-3 tentativa për gol nga ana e korçarëve, por edhe një karton të kuq për mbrojtësin e të kuqve, Trashi, i cili ndërhyri me taka ndaj Abazajt gjatë një dyluftimi në mesin e fushës.
Vërshëllima e trefishtë e arbitrit la në fuqi rezultatin 0-1 për Partizanin, me të kuqtë që e nisin aty ku e lanë më 2018-ën dhe shkojnë në kuotën e 40 pikëve, duke çuar në 10 pikë, distancën nga korçarët dhe duke u “vrarë” shpresën për të mbrojtur titullin kampion, këtyre të fundit.