Nga Erion Muça
Në vrullin e informacionit i shoqëruar me panik dhe frikë, për rastet e koronavirusit në Shqipëri, po na vendosin para sfidave dhe sprovave, duke testuar shumë mekanizma institucionale dhe shëndetësor sesa gati janë për menaxhimin e sëmundjes. Nuk kemi të bëjmë me një “armik” të cilin e njohim, dimë si ta trajtojmë dhe përcjellim, e dimë si ti bëjmë ballë simptomave dhe pasojave që sjell por me një virus të panjohur të cilit i dimë emrin, si ngjitet, si kalon nga njeriu tek njeriu por fatkeqësisht nuk dimë si ta “luftojmë” e në luftë ta mundim.
Simbolikisht dhe figurativisht si përshkrim shkakton pesimizëm dhe pamundësi por do të duhet të na ndërgjegjësojë që të shtojmë kujdesin për veten, vigjilencën duke përdorur armët më të fuqishme që kemi në dorë si: vetëmbrojtjen, masat vetjake, kufizimin dhe tërheqjen e duke respektuar rigorozisht çdo këshillë eksperti për mos tu infektuar, e shërbyer si bartës për tua ngjitur të tjerëve.
Momentalisht pas konstatimit të rasteve dhe vendosjes në karantinë të të infektuarve të parë të zbuluar deri tani, masat që ka marrë qeveria i gjykoj shumë të vonuara në aspektin e parandalimit, janë shumë të kufizuara në aspektin e shtrirjes dhe gjithpërfshirjes, janë të ngadalta në raport me sesi duhen në të tilla raste të jenë dhe duken të pasinkronizuara për krijimin e një përfytyrimi optimist që sëmundja do të mirëmenaxhohet dhe të prekurit apo të afërmit e tyre do të izolohen menjëherë për mos të përhapur sëmundjen.
Rastet me këtë virus është e vështirë të menaxhohen nëse masat nuk merren dhe planifikimi nuk behet para se territorin ta shkelin individë të infektuar. Masat nuk merren kur konstatojmë infektimin e njerëzve por i duhej parparirë gjendjes me plane të detajuara, konkrete dhe praktike jo vetëm në aspektin e menaxhimit të rasteve por edhe parandalimit e mos përhapjes në masë.
Kujtoj rastin e planifikimit të disa vendeve që do të shërbenin si karantinë dhe ndryshimit të planit rrugës atëherë kur kërkohej realisht karantinimi i personave të prekur. Masat nuk duhen marrë vetëm me mbylljen e institucioneve arsimore por të gjitha institucioneve shtetërore dhe private të vendit të paktën për 2 javë pasi çdokush në Shqipëri është i rrezikuar.
Masat nuk duhet të përfshijnë mundësinë e njërit prind në kujdesjen ndaj fëmijëve pasi fatkeqësisht prindi tjetër mund tua sjellë virusin në shtëpi e mund ta marrë kudo dhe në çdo kontakt sidomos në nje mungesë kulture e informacioni mbi masat higjenike vetëmbrojtëse. Përpara një epidemie dhe pandemie, një sistem shëndetësor si ky i yni, me pak kapacitete e infrastrukturë por me shumë zell e dëshirë të personelit shëndetësor e shtetit për ta zotëruar, mund ta ketë shumë të vështirë përballimin e një gjendje të jashtëzakonshme shëndetësore.
Mungesa e sinkronizimit të planit të masave në rang kombëtar, i trashëguar historikisht në shëndetësi si kalim dhe përcjellje së çdo rasti në Tiranë, vijon të përbëjë edhe në këtë rast një problematikë dhe një mungesë gatishmërie të decentralizuar të mos marrjes së përgjegjësisë e çdo institucioni shëndetësor e spitalor në vend, për trajtimin e virusit atje ku edhe rasti konstatohet. Mjekimi i specializuar mund të jetë i pamjaftueshëm në rast epidemie siç ndodh edhe me Italinë fqinje, e për këtë çdo mjek dhe infermier në vend do të duhet të ishte trajnuar e përgatitur paraprakisht sesi duhet vepruar për trajtimin e të infektuarve me koronavirus.
Nxitimi për të menaxhuar frikën dhe panikun e popullatës nëpërmjet sensibilizimit për një kujdes të lartë higjenik dhe vetëkarntinim të të dyshuarve si të prekur po ul pasigurinë e rrit besimin por nuk po e amortizon shumë efektin e detyrimit të daljes së një prindi në punë, i cili shihet si një veprim me rrisk të lartë për infektim. Nuk është problem se cili do të mbajë fëmijët por sesi e gjithë familja të jetë e parrezikuar për tu infektuar. Informimi i vazhdueshëm publik mbi situatën apo shtimin e rasteve të njerëzve të prekur thjesht thellon dhe rrënjos bindjen, për një përkeqësim të saj në ditet në vijim dhe për këtë lipsen masa më radikale dhe më të shpejta pasi rrezikun e kemi shumë afër.
Nuk po parashikoj asgjë pasi jam shumë optimist se do ja dalim mbanë por preferoj të ngre zërin që të merrem parasysh. Të gjithë duhet të kuptojmë që nuk jemi para një shakaje ku edhe me një gotë vere prapa do ta kalojmë por para një gjendje që nuk duhet të neglizhohet e as të trajtohet si normalitet apo si e zotëruar maksimalisht por si një emergjencë dhe urgjencë që duhet kontrolluar pa kosto në jetë njerëzish.
Për administrimin e situatës duket që po punohet e rastet duket se po menaxhohen por nuk mund të flasim ende për sigurinë e të paturit të çdo gjëje në kontroll. Situata po monitorohet dhe mbështetet me buxhet nga shteti por mirë është të punohet për të parandaluar përhapjen e virusit.
Përhapja e virusit mund të parandalohet më së shumti me vetëkarantinim të popullatës për 2-3 javë e ku të gjithë ta kenë mundësinë për këtë tërheqje pa pasoja ekonomike dhe sociale.
Nuk duhen marrë gjithmonë shembuj apo modele kinse perëndimorë apo të avancuara në menaxhimin e situatës. Në shumë raste vlejnë edhe mënyrat lokaliste që njerëzit i kuptojnë më mirë në përputhje me mentalitetin sidomos sesi të sensibilizohen dhe ndërgjegjësohen, për masat vetëmbrojtese, ruajtjen e qetësisë dhe arsyes duke mos mësyrë minimalisht në markete për të zbrazur çdo gjë.
Nuk është mirë ndonjëherë ti referohemi botës sesi ata veprojnë por të kemi idetë tona origjinale sesi duhet të veprojmë me kapacitetet e mundësitë tona, për ti dhënë zgjidhjet e domosdoshme dhe drejtimin e duhur gjërave. Nuk janë të nevojshme as fryrjet e titullarëve përpara medias për një informim rigoroz së gjendjes por më shumë rëndësi ka puna me plane veprimi, zbatim rigoroz masash dhe rezultatet e tyre sesa deklaratat publike mbi rendimin e gjendjes. Në të tilla raste është më mirë të flasim mbi impaktin pozitiv të masave të marra për qetësim dhe vetëkontroll se të deklarosh “që jemi duke punuar por nr i të prekurve po rritet”.
Nuk na ngushëllon e as na ngroh informacioni që marrim pasi veçse shton panikun nëse nuk shoqërohet me sukses sado të vogël të masave për mbajtjen në kontroll të situatës.
Në të tilla kushte, uroj që këto masa të fillojnë të zbatohen dhe merren shumë më seriozisht nga të gjithë pasi neglizhenca dhe vonesa edhe e një sekonde mund të na kushtojë të gjithëve jetën.