Aktualitet Koronavirusi/ Brataj: Betejë që do ta fitojmë të gjithë së bashku, 95-97%...

Koronavirusi/ Brataj: Betejë që do ta fitojmë të gjithë së bashku, 95-97% e të sëmurëve shërohen

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj u shpreh sot se parandalimi i koronavirusit është një betejë që vetëm të gjithë së bashku, duke ndjekur rregullat specifike, mund ta fitojmë sa më shpejt”.

Në një konferencë për shtyp, Brataj theksoi se 95-97% e të sëmurëve shërohen. “Vetëm me bashkëpunim do ta fitojmë sa më shpejt. Ne jemi në dispozicion 24/24, telefononi 127”, tha ai.

Brataj tha se “është normale dhe fiziologjike të ketë panik dhe detyra jonë është të informojmë çdo qytetar”. “Nuk fshihemi, kjo është një gjë që po e kalon gjithë bota, do rritet numri, patjetër që do të ketë raste të tjera. Por ne po punojmë  duke marrë studimet që kanë kryer vendet e tjera”, tha Brataj.

Ai u shpreh se “është trefishuar numri i thirrjeve ndaj 127. “Me të drejtë kjo, por ne dimë se nga studimet, 80% e njerëzve që infektohen nuk shfaqin shenja. Ajo kategori që shfaq, në mbi 90% të rasteve kurohet në shtëpi. Ne kemi pasur gripin dhe ka pasur 400 vizita në QSUT”.

Ai theksoi se “kësaj mund t’i përgjigjemi vetëm me bashkëpunim dhe me mirëkuptim” “Si parandalohet? Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, atë që bëri bota ta bëjmë ne. E ndaloi Kina dhe pritet që deri në fund të muajit të mos ketë asnjë rast. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk është vetëm forca dhe ligji, por mirëkuptimi që të izolojmë kontaktet. Edhe unë nuk e di nëse jam i infektuar, duhet thjesht bashkëpunim”, tha Brataj.

Ai informoi se do të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve për të caktuar masat e mëtejshme, por i rëndësishëm është bashkëpunimi me njerëzit”.

“Nuk ka mjekim për njerëzit asimptomatik edhe pse janë pozitiv me koronavirus, nuk ka medikament specifik. Higjiena, ajrimi i ambienteve, qëndrimi në distancë edhe brenda familjes, izolimi në dhomë më vete dhe përdorimi i ushqimit, lëngjeve, vitaminave, këto janë masat që këshillohen”, tha ai.