Ndër viktimat e koronavirusit në Serbi është së fundi dhe një prift ortodoks me emër.
Fjala është për Peshkopin Milutin të Dioqezës së Valjevos, i cili në vitin 1963 ai ishte bërë dhe murg.
Dioqeza e Valjevës njoftoi tre ditë më parë se Peshkopi Milutin kishte konfirmuar praninë e koronavirusit aty, ku të infektuar ishin dhe dy priftërinj të tjerë.
Në të njëjtën deklaratë, Dioqeza protestoi ashpër dhe mohoi shkrimin e disa mediave dhe deklaratën e drejtuesve të pushtetit vendor se infektimi i koronavirusit në zonë ishte “përhapur për shkak të udhëtimit të disa priftërinjve jashtë vendit dhe ardhjes së priftërinjve nga Italia në Valjevo”.
“Që nga momenti i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Peshkopi Milutin asnjëherë nuk e la vendin e Dioqezës së Valjevës brenda një perimetri dhe respektoi rregullat e izolimit, duke dhënë me përgjegjësi një shembull për të gjithë priftërinjtë dhe besimtarët, e duke u kujdesur për të parandaluar përhapjen e infeksionit”, tha Dioqeza.