“Jam i lumtur që ndodhem në Wuhan, që disa e quajnë “Franca e vogël” në Kinë, zemra e bashkëpunimit franko-kinez”, pati thënë kryeministri francez, Bernard Cazeneuve, në 2017, në fund të presidencës së Hollande. Marrëveshja e arritur në atë rast parashikonte mbërritjen e 50 shkencëtarëve francezë në Wuhan në harkun e pesë viteve, por tre vjet më vonë askush nuk hyri më në laboratorin P4 – me çelësat e dorëzuar praktikisht në duart e francezëve – në “Francën e vogël” të Kinës. Javët e fundit, vëmendja është rikthyer në laboratorin e Wuhan-it pasi “Washington Post” shkroi se në vitin 2018, personeli i Ambasadës Amerikane në Kinë e paralajmëroi Uashingtonin për sigurinë e mangët në laborator.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, bën thirrje për një hetim, Presidenti Emmanuel Macron thotë se “gjëra që ne nuk i dimë kanë ndodhur në Kinë” dhe kancelarja Merkel gjithashtu i bën thirrje Kinës për një transparencë më të madhe. Tani për tani, shumë teori konspirative dhe asnjë provë që Covid-19 mund të ketë dalë nga laboratori i Wuhanit.
Shqetësimet për sigurinë e kanë shoqëruar laboratorin e Wuhanit që nga lindja e tij, fryt i bashkëpunimit midis Kinës dhe Francës. Në vitin 2003, SARS-i e goditi Kinën dhe autoritetet e Pekinit kërkuan ta përmirësonin aftësinë e tyre për të luftuar epidemitë. Në vitin 2004, Presidenti Hu Jintao mori ndihmën e presidentit francez, Zhak Chirac, dhe kryeministrit të tij Jean-Jacques Raffarin, përkrahës të fortë të idesë së një hapjeje evropiane drejt Kinës. Të dy vendet vendosën të luftojnë së bashku sëmundjet në zhvillim, për shembull gripin e shpendëve, dhe kulmi i këtij bashkëpunimi të ri ishte ndërtimi në Kinë, me fonde lokale, teknologji dhe ekspertë francezë, i një laboratori P4 për studimin e shumë viruseve patogjene, klasa 4 (më e larta për shkallën e rrezikut).
Metropoli i provincës së Hubeit duket se ishte zgjedhje e natyrshme, sepse ishte vendi i koncesionit francez në shekullin XIX dhe që nga atëherë zemra e bashkëpunimit ekonomik franko-kinez: në Wuhan ka degë të markave franceze si Peugeot, Renault, Eurocopter, L’Oréal, etj. Pernod-Ricard dhe shumë të tjera. Sidoqoftë, ideja për t’i besuar Kinës një laborator P4 ngjalli dyshime midis shkencëtarëve dhe specialistëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Për arsye politike, që lidhen me transferimin e teknologjive me sensibilitet të lartë dhe sigurinë publike. “Një laborator P4 është si një bombë atomike bakteriologjike”, i tha një burim gazetës franceze “Figaro”.
Viruse jashtëzakonisht të rrezikshme si Ebola janë manipuluar dhe trajtuar dhe masat e sigurisë duhet të ndiqen pikë për pikë, sipas procedurave të huazuara ndonjëherë nga ato që përdoren për nëndetëset bërthamore. Frika ishte se, pasi të vihej në punë laboratori nëe Vuhan, ai do të funksiononte përtej çdo kontrolli francez.
Kantieri përfundoi në 2015 dhe hyri në veprim në vitin 2018, me rastin e vizitës së parë në Kinë të Presidentit të ri, Emmanuel Macron. Por, siç pritej, bashkëpunimi franko-kinez zgjati për aq kohë sa u desh që të ndërtohej laboratori P4. Pasi u realizua, francezët u dëbuan nga biznesi dhe nga kontrolli i tij. 50 studiuesit francezë, pavarësisht marrëveshjes, nuk u nisën kurrë për Kinë, dhe laboratori P4 në Vuhan funksionoi në mënyrë të pavarur, pa kontrollet dhe mbrojtjen franceze të parashikuar fillimisht nga marrëveshja Chirac-Hu Jintao. / Corriere della Sera