Numri i të vdekurve nga virusi korona ka vajtur në 56 dhe pritet të rritet më tej. 56 milionë persona, më shumë se e gjithë popullsia e Spanjës janë izoluar në karantinën më të madhe që është parë ndonjëherë. Tani Republika Popullore, superfuqia që sfidon Amerikën ka nisur të ketë frikë.
Autoritetet kineze për shkak të përhapjes gjithnjë e më të madhe të virusit korona kanë marrë masa në të gjithë vendin për udhëtimet me tren, avionë apo autobusë. Sipas njoftimit të autoritetit kombëtar kinez janë instaluar në të gjithë trafikun publik aparate të matjes së temperaturës. Një nga simptomat e para të sëmundjes së mushkërive është rritja e temperaturës së trupit. Pasagjerët me dyshim për infeksion duhet të dërgohen “menjëherë“ në spital, thuhet në urdhëresat e Këshillit Shtetëror, ku kërkohet që të merren masa si ajrosja dhe dezinfektimi.
“Përhapja e virusit të ri vdekjeprurës është duke u shpejtuar”, kështu deklaroi presidenti kinez, Xi Jinping gjatë një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë.
Sipas televizionit shtetëror, kreu i shtetit Xi iu tha zyrtarëve të lartë se vendi është duke u përballur me një situatë shumë të vështirë, për shkak të këtij virusi misterioz.
Mbyllet muri kinez si masë sigurie
Kryetarja e qeverisë së Hong Kongut, Carrie Lam shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Për të ulur mundësinë e shpërndarjes së virusit, Lam anuloi të gjitha festimet zyrtare të Vitit të Ri kinez. Në festimet e Vitit të Ri që zhvillohen në fundjavë, miliona vetë vizitojnë familjet apo festojnë në ambiente publike. Por si reagim ndaj shpërthimit të sëmundjes së mushkërive janë anuluar festimet në shumë qytete kineze për të mënjanuar grumbullimet e njerëzve.
Rritje e papritur
Televizioni shtetëror kinez raportoi për ndërkohë 56 viktima dhe afër 1.300 të infektuar në Republikën Popullore të Kinës, rreth një e treta më shumë se një ditë më parë. Ndër viktimat ndodhet edhe një mjek spitali, 62-vjeçar, i cili ishte infektuar në një spital të Vuhanit.
Ndërkohë janë izoluar edhe pesë qytete të tjera nga provincën Hubei. Sipas të dhënave të autoriteteve aty është ndaluar transporti publik dhe futja në autostrada. Me këtë shkon në 18 numri i qyteteve të izoluara në Kinë. Faktikisht janë në izolim afër 56 milionë vetë. Në Vuhan, metropolin 11 milionësh, prej nga doli edhe virusi, i pari qytet i izoluar, deri të dielën janë ndaluar udhëtimet në qendër. Siç bëjnë të ditura mediat kineze, afër 400 mjekë ushtarakë kanë ardhur me avion në qytet në luftë kundër virusit korona. Përveç kësaj në ndihmë ka ardhur edhe personel mjekësor nga Shangai dhe qytete të tjera. Në Vuhan qeveria ndërkohë ka filluar me ndërtimin e një spitali special me 1000 shtretër, që pritet të jetë gati brenda 10 ditësh.
Jo arsye për panik?
Kundër virusit nuk ka vaksinë apo terapi të posaçme për trajtimin e tij, simptomat mund të zbuten me ilaçe. Sipas vlerësimit të ekspertëve, kjo sëmundje e re zhvillohet në shumicën e rasteve butë, nganjëherë edhe pa asnjë simptomë. Në shumicën e rasteve të vdekjeve të regjistruara në Kinë, sipas stadit të deritanishëm, shumica kanë qenë pacientë të moshuar me sëmundje të rënda paraprake. Virusi ri është shumë i afërt me virusin që shkaktoi epideminë sars në vitet 2002-2003.