Koronavirusi në Itali ka vrarë më shumë se 20 mijë persona, një shifër dramatike që tejkalohet vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në 24 orët e fundit kanë vdekur 566 persona, duke arritur në një total prej 20.465 viktimash.
Të dhënat e Mbrojtjes Civile këtë të hënë nuk janë të mira si të dielën e Pashkës. Përveç numrit të lartë të viktimave, është rritur edhe numri i personave të shtruar me simptoma (28.023, 176 më shumë se dje).
Por numri i rasteve pozitive sot është më i ulët se një ditë më parë. Janë 3,153 më shumë e numri i tyre i përgjithshëm është 159,516.
Për fat të mirë, vazhdon të bjerë numri i të shtruarve në terapitë intensive, bëhet fjalë për 3260 persona, 83 më pak se dje. Një e dhënë kjo gjithnjë në rënie që tregon se piku është arritur, por jo tejkaluar.
Gjithsej, numri i të shëruarve në Itali është 35 425, 1224 më shumë se dje.