Kulturë Koronavirusi në SHBA, “The Metropolitan Opera” transmeton falas shfaqjet e Wagner

Koronavirusi në SHBA, “The Metropolitan Opera” transmeton falas shfaqjet e Wagner

Një nga skenat operistike më të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “The Metropolitan Opera”, ka nisur të përcjellë falas për publikun në mbarë botën shfaqjet e realizuara më herët në skenën njujorkeze.

Këtë javë nga fondi i këtij teatri të madh klasik ka dalë Wagner. E gjithë java i është dedikuar këtij kompozitori dhe shfaqjet nisin nga pasditja e deri në orët e para të mëngjesit të ditës pasardhëse. Për të ndjekur këto shfaqje vetë opera njofton në faqen zyrtare në Facebook, ku një link i publikuar ju orienton drejt shfaqjes së radhës.

Çdo mbrëmje një shfaqje e re, në këto ditë izolimi, mund të mos ketë të njëjtën shije sikurse e shihni në skenë, por gjithsesi mbrëmja e dashamirësve të operas pa diskutim do të ndryshojë. Aksesin për të parë këto shfaqje e ka e gjithë bota, ndaj nëse jeni të interesuar të dëgjoni Wagner-in sot, shkruani vetëm “the metropolitan opera” dhe shfaqja e interpretuar në vitin 2010 për qindra spektatorë të kësaj skene do të përcillet edhe në shtëpinë tuaj.