Shqipëria ka regjistruar 25 raste të reja me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit, numër i njëjtë infeksionesh me një ditë më parë, duke e çuar në 634 numrin e të prekurve
Rastet e reja janë 18 në Krujë, 3 raste në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Shkodër dhe 1 në Kurbin.
Deri në këto momente janë testuar 6269 raste të dyshuara, 252 vetëm 24 orët e fundit.
Zv/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Prof. Mira Rakacolli, konfirmoi vdekjen e pacientit 71-vjeçar në spitalin “Shefqet Ndroqi” i cili ishte prej dy javësh i intubuar dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese si (diabetik, kardiopat, ç’rregullime të ritmit kardiak dhe fibrilacion atrial).
“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 71-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë duke e çuar numrin e qytetarëve që kanë humbur betejën me këtë sëmundje në 27”.
Gjatë 24 orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 356.
Rezulton se Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar.
Aktualisht në vendin tonë janë 251 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.
Në shërbimin Infektiv aktualisht janë 33 të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive, në gjendje të rënduar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 256 raste
– Durrës 42 raste
– Lushnje 6 raste
– Elbasan 18 raste
– Fier 36 raste
– Kavajë 9 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 19 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 100 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 2 raste
– Has 13 raste
– Krujë 58 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 5 raste
– Mirditë 3 raste
– Kukës 11 raste
-Mallakastër 1 rast
– Kurbin 28 raste
Pavarësisht luhatjes në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është njëlloj e kontrolluar.
Rakacolli tha se treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme.
“Në kushtet e lirimit të disa masave, në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është shumë e rëndësishme të zbatohen me përpikmëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, sidomos distancimi fizik në rrugë, dyqane, ambiente punë dhe në mjetet e transportit pë rata që i përdorin për të arritur në vendet e punës. Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”.