Autoritetet shëndetësore kanë identifikuar edhe 2 raste të tjera të prekur me koronavirus në vendin tonë. Në një dalje për mediat, zv/Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha këtë të mërkurë se një nga dy të prekurit është i afërt me pacientin zero, ndërsa tjetri është identifikuar në Lushnje. Të dyja rastet janë në vëtëizolim dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
“Në 24 orët e fundit janë kryer edhe 43 testime të reja, nga të cilat kanë rezultuar dy raste pozitive me COVID-19. Njëri prej tyre është i lidhur me pacientin zero, ndërsa tjetri është një i moshuar në Lushnje, 78-vjeçar, me një histori udhëtimi në Bergamo të Italisë. Ai ka udhëtuar atje në mesin e epidemisë dhe është kthyer në Shqipëri. Të dyja rastet janë në vetëizolim dhe janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore”.
Rakacolli tha se në total deri më tani janë testuar 157 persona dhe vetëm 12 prej tyre janë identifikuar të prekur me koronavirus. Nga këta, 9 kanë lidhje kontakti me pacientin zero, pra 28-vjeçarin i cili ishte i pari i identifikuar me Covid-19.
“Në total deri në këto momente janë testuar 157 njerëz të dyshuar për Covid-19. Deri më tani, nga këta 157 vetëm 12 i kemi të identifikuar pozitivë. Nga këta, 9 kanë lidhje kontakti me rastin e parë, me pacientin zero, 3 janë raste të reja. 1 është në Tiranë, 1 në Lushnje dhe 1 në Durrës”.
Zv/Ministrja tha se 3 prej të prekurve janë në Spitalin Infektiv në Tiranë, pa probleme të veçanta. Në Durrës, pacientja e prekur me koronavirus ndodhet në terapi intensive, por në gjendje të stabilizuar.
“Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, ju informojmë se 3 prej të prekurve janë të shtruar në Spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, pa probleme të veçanta. Njëri në spitalin e Durrësit, në terapi intensive, por në gjendje të stabilizuar. 7 prej personave të identifikuar Covid-19 pozitiv, janë në vetëizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator, janë normal. Ndërsa 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me Covid janë në vetëkarantinim, pra nuk paraqesin absolutisht asnjëlloj shenje”.
Zv/Ministrja Rakacolli vuri theksin se institucionet dhe qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të zbatojnë me përpikmëri masat e bëra publike.