Bota Koronavirusi, Papa e drejton lutjen online: Le ta jetojmë këtë moment me...

Koronavirusi, Papa e drejton lutjen online: Le ta jetojmë këtë moment me forcën e besimit

Masat për koronavirusin për ndalimin e mbledhjes së turmave kanë prekur edhe sheshin Shën Pjetër të Vatikanit i cili gjatë meshës së sotme ishte i boshatisur.

Gjendur në këto kushte, Ati i Shenjtë e drejtoi lutjen e tij, jo nga ballkoni i zakonshëm por nëpërmjet një transmetimi online. “Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjesi! Paksa e çuditshme lutja e sotme, me mua të futur në kafazin e bibliotekës, por gjithsesi, ju shoh dhe jam pranë jush. I gjendem pranë me lutjet e mia personave që vuajnë nga epidemia e momentit por edhe për çdokënd që kujdeset për të sëmurët. Le ta jetojmë këtë moment me forcën e besimit, sigurinë e shpresës dhe dashamirësinë e bamirësisë”, tha Papa.

Më tej, Bergoglio u ndal edhe te situata në Siri, kur tha: “Dua të falënderoj ata që manifestojnë dhe luftojnë për të harruarit në Idlib, faleminderit për atë që bëni”.

Në fund, Ati i shenjtë nuk iu përmbajt udhëzimeve dhe u afrua në dritare për të përshëndetur të pranishmit e paktë në sheshin e Shën Pjetrit.