Shkencëtarët kinezë kanë zbuluar se koronavirusi mund të qëndrojë i fshehur në organizmin e një personit pa shkaktuar asnjë simptomë dhe më pas të përhapet tek personat e tjerë, ku pasoja mund të jenë më fatale.
Ata sollën rastin e një 20-vjeçareje, banore e Wuhanit duke menduar se ishte e painfektuar nga virusi udhëtoi tek të afërmit e saj në Anyang, 675 kilometra në veri të Wuhanit, ku infektoi pesë të afërm të saj.
Shkencëtarët kinezë e raportuan rastin ditën e premte, duke e sjellë atë si provë që virusi mund të përhapet në heshtje, pa asnjë simptomë. Rasti i 20-vjeçares është botuar në revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë dhe sugjeron se përse mund të jetë e vështirë që të parandalohet koronavirusi.
“Mjekët kanë pyetur prej kohësh nëse mund ta mbartësh virusin, por të mos jesh sëmurë? Mesa duket po”, thotë William Schaffner, ekspert i sëmundjeve infektive.
Kina ka raportuar deri më tani rreth 75 mijë raste me virusin e njohur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë me emrin COVID-19, nga të cilat 2239 janë fatale. Studiuesit kanë raportuar herë pas here raste kur virusi shpërndahet pa asnjë simptomë.
“Kemi rastin e pacientes në Wuhan, që udhëtoi nga një vend ku kishte virus në një vend ku nuk kishte. Nuk shfaqi asnjë simptomë dhe infektoi një tufë familjarësh”, thotë Schaffner.
Sipas autoriteteve kineze, 20-vjeçarja udhëtoi nga Wuhani për në Anyang më 10 janar, ku vizitoi disa të afërm. Këta u sëmurën papritur, ndërsa vetë e reja nuk tregoi asnjë shenjë. Mjekët e morën dhe e testuan për koronavirus. Në testin e parë ajo rezultoi negative, por pas një testimit të dytë më të detajuar rezultoi pozitive.
Të pestë familjarët e saj pësuan pneumoni nga COVID-19, por ajo vetë, të paktën deri më 11 shkurt nuk kishte asnjë simptomë dhe mushkëritë i kishte të pastra, nuk kishte temperaturë dhe as kollë dhe grykë të thata.