Politika “Liria e shprehjes nuk duhet të keqpërdoret”

“Liria e shprehjes nuk duhet të keqpërdoret”

Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” ka reaguar përmes një statusi në lidhje me gjuhën e urrejtjes të përdorur nga politikanët ndaj një pjese të shoqërisë, si dhe ndaj disa politikanëve të tjerë.

Qendra kritikon veçanërisht gjuhën e përdorur ndaj kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ndaj ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj pak ditë më parë. Për më shumë lexoni statusin e plotë.

Statusi i plotë:

Liria e shprehjes është një e drejtë themelore e cila duhet të mbrohet, por nuk është një e drejtë absolute. Lira e shprehjes duhet gjithashtu të respektojë kufij veçanërisht në lidhje me gjuhën e urrejtjes. Gjuha e urrejtjes ndaj grave është një çështje e vjetër sa njerëzimi dhe e nën raportuar në Shqipëri, që është një vend që ka ratifikuar Konventën e të Drejtave Civile dhe Politike dhe Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Fatkeqësisht gjuha e urrejtjes është bërë pjesë e fjalorit të disa politikanëve/eve shqiptarë dhe dukshëm tolerohet nga pjesa tjeter e tyre.

Disa personazhe publike, politikanë/e, Avokatja e Popullit, përfaqësueset e shoqërisë civile, përfaqësuese të medias janë bërë target i gjuhës së urrejtjes e cila është shtuar në vitet e fundit.

Ne në Shqipëri për fat të keq, nuk kemi mjete ligjore dhe politike për ta dënuar me forcë gjuhën e urrejtjes dhe përndjekur përdoruesit e saj.

Ndërsa presim nga udhëheqësit/et politikë/e të dërgojnë sinjale për publikun ku të dënojnë ligjërimin e dhunshëm ndaj grave, dëgjojmë sharje dhe fyerje të cilat në një shoqëri demokratike nuk duhet të tolerohen.

Është bërë zakon tashmë që gjuha e urrejtjes të shoqërojë lajme dhe informacione të dhëna nga personalitete të ndryshme për persona të tjerë, qofshin burra apo gra. Një informacion që duhet t’i jepet prokurorisë menjëherë dhe tani edhe SPAK-ut mbahet pezull me javë e muaj të tërë për t’u përdorur politikisht edhe kur bëhët fjalë për çështje me interes publik. E pastaj në fund shumica e këtyre lajmeve janë “flluska sapuni”.

Kohët e fundit Ministria e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj u bë target i gjuhës së urrejtjes publikisht nga znj. Monika Kryemadhi, kryetare e LSI në një takim me përfaqësues të partisë së saj në prani të mediave. Ky fjalor haptazi nxit urrejtje ndaj Ministres te pjesa misogjene e popullatës. Çfarë domethënë “halabake rrugësh”? Sipas fjalorit domethënë rrugaçe! Ç’kuptim ka që një grua në politikë të etiketohet me këtë term? Nëse sheh komentet në mediat që e publikuan lajmin misogjenët nuk kishin kursyer as zonjën që e përdori.

Kur këta politikanë/e dhe përfaqësues/e flasin në publik duhet të kenë të qartë rolin e tyre në edukimin e elektoratit që i ndjek dhe publikut në përgjithësi që dëgjon në media fjalime apo deklarata.

Nga personat në politikë dhe në vendimmarrje presim të gjithë të zbatojnë konventat ndërkombëtareve dhe ligjeve të vendit. Ata duhet të jenë shembull i përdorimit të gjuhës amëtare me kujdes e pa urrejtje, të luftojnë misogjininë dhe të nxisin tolerancën dhe mirëkuptimin.

Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”

Qendra për Nisma Ligjore e Qytetare

Linja e Këshillimit për Gra e Burra

Rrjeti i Fuqizimit të Gruas Shqiptare