Deklarata e Josep Borrell se Kosova nuk është shtet përderisa nuk e ka njohur, Kina, Rusia dhe India, ka nxitur reagimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
Në një postim të gjatë në rrjetin social “Facebook”, Haradinaj i kujton njeriut që pritet të udhëheqë politikën e jashtme të BE-së se njohja sipas të drejtës ndërkombëtare nuk e bën apo zhbën qenësinë e shtetit.
“Njohja është akt politik dhe nuk e përcakton funksionalitetin juridik e politik të shtetit”, thotë ish-kryeministri.
Deklarata të tilla, sipas tij, tregojnë nivelin e ulët të besueshmërisë dhe njohjes sipërfaqësore të çështjeve të Ballkanit nga ana e Borrel. “Besojmë fuqishëm se degradimet, shkarjet, dhe ofendimet e tilla, nuk do të lejohen më nga institucionet e BE-së”, vijon me tej Haradinaj.
Arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë prioritet i Josep Borrell, spanjollit që do të pasojë Federica Mogherinin si shef i diplomacisë europiane.
Gjatë një seance dëgjimore në Parlamentin Evropian, i cili duhet të votojë për konfirmimin e tij, Borell paralajmëroi se vizita e parë në postin e ri do të jetë në Kosovë.
Borrell mbante postin e ministrit të Jashtëm të Spanjës, shtet ky që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, me frikën se një veprim i tillë mund të nxisë ambiciet e Katalonjës për pavarësi. Ai tha se njohja e një vendi është përgjegjësi e secilit shtet anëtar të Bashkimit Evropian dhe se Spanja nuk është problem në këtë drejtim, pasi sipas tij, Kosova nuk mund të bëhet shtet derisa nuk e njohin Kina, Rusia e India.
Borrel iu bëri thirrje Kosovës e Serbisë që të rifillojnë bisedimet dhe të mënjanojnë pengesat që kanë frenuar dialogun.