Kremlini thotë se nuk ka “plane konkrete” për një samit mbi Ukrainën mes presidentit amerikan, Joe Biden, dhe atij rus, Vladimir Putin.
Samiti është propozuar nga Franca dhe Biden ka rënë dakord “në parim” për zhvillimin e tij.
Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se ishte “e parakohshme të flitej për plane specifike për çdo lloj samiti”.
Kushti i Shtëpisë së Bardhë është që takimi të mbahet vetëm nëse Rusia nuk pushton Ukrainën. Ishte Franca që e njoftoi takimin duke shpjeguar se samiti do të përfshinte më pas “të gjitha palët e përfshira” dhe do të fokusohej në “sigurinë dhe stabilitetin strategjik në Evropë”.
Përgatitjet për takimin SHBA–Rusi do të fillojnë të enjten. Ndërkohë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se Rusia duket se po vazhdon përgatitjet për një sulm në shkallë të gjerë mbi Ukrainën.
Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë të gatshme të imponojnë sanksione të shpejta dhe të rënda nëse Rusia zgjedh luftën. Në rajonet lindore vijojnë përplasjet e armatosura ku deri tani kanë humbur jetën 2 ushtarë dhe 3 civilë.