Presidenti Vladimir Putin është i hapur për bisedime për një marrëveshje të mundshme në Ukrainë, por refuzimi i SHBA për të njohur territoret e aneksuara po vështirëson çdo tentativë për një kompromis të mundshëm. Kështu deklaroi këtë të premte Kremlini, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Të enjten, presidenti amerikan Joe Biden tha se ishte i gatshëm të bisedonte me Putin, nëse shefi i Kremlinit po kërkonte për një mënyrë për t’i dhënë fund luftës, por sipas tij, Putin nuk e ka lënë të kuptohet diçka e tillë.
“Presidenti i Federatës Ruse ka qenë dhe mbetet gjithmonë i hapur për negociata në mënyrë që të mbrojë interesat tona”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për gazetarët kur u pyet për deklaratën e Biden.
“Mënyra e preferuar për të arritur interesat tona është përmes paqes dhe diplomacisë”, tha Peskov, ndërsa shtoi se “Putin ka qenë dhe mbetet i hapur ndaj kontakteve dhe negociatave”.
Putin nuk ka shprehur pendesë për atë që Rusia e quan “operacion special ushtarak”, ndaj Ukrainës dhe e konsideron luftën si një moment historik, kur Rusia më në fund u ngrit kundër hegjemonisë arrogante të Perëndimit, pas dekadave poshtërimi, që prej rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991.
Ukraina dhe Perëndimi thonë se Putin nuk ka justifikime për atë që ata e konsiderojnë një pushtim të stilit imperialist. Ukraina thotë se do të luftojë derisa ushtari i fundit rus të jetë larguar nga territori i saj.