Opozita Kreshnik Spahiu i quan atentat grushtet te çadra dhe disa teori konspirative

Kreshnik Spahiu i quan atentat grushtet te çadra dhe disa teori konspirative

Kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, deklaron se bashkë me ish-kryeministrin Berisha i kanë lënë pas konfliktet e së shkuarës dhe janë bërë bashkë në kauzën për të rrëzuar Ramën nga pushteti.

Në një intervistë për gazetarin Juxhin Mustafaraj të “Panoramës”, Spahiu shpjegon qëndrimet e forta që ka mbajtur ndaj Berishës dhe arsyet përse ndodhi takimi me të në çadrën e ngritur përpara Kryeministrisë.

Z.Spahiu, ju jeni në një koalicion të shpallur me Partinë Demokratike tashmë, por kujtoj se 4 vjet më parë ju keni kërkuar arrestimin e ish-kryeministrit Berisha? Si ka ndodhur ky kapërcim në qëndrimet e mbajtura?

Unë kam një background politik, por edhe një background në drejtësi për shkak të profesionit tim. Fillesat e mia kanë qenë tërësisht politike, por më pas pata një shkëputje 20- vjeçare për shkak se u fokusova në profesionin tim të juristit.

Ndihem konsekuent në qëndrimet e mia politike dhe kam qenë një nga protagonistët e rrëzimit të çdo Kryeministri në Shqipëri. Kam marrë pjesë në rrëzimin e Ramiz Alisë në ‘90 dhe për këtë jam dekoruar edhe si pishtar i demokracisë, më pas rrëzimin e ish-kryeministrit Ylli Bufi, Vilson Ahmeti, Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko dhe deri në rrëzimin e ish-kryeministrit Berisha. Jam po i njëjti Kreshnik që po përjetoj një lëvizje me një lloj protagonizmi për rrëzimin e Kryeministrit Rama. I përkas një rryme antikonformiste, kundër çdo pushteti.

Qëndrimet e mia kritike ndaj Sali Berishës duhen parë në kontekstin e përgjithshëm të të gjitha ishqeverive dhe qeverisë aktuale. Qëndrimet e mia ndaj ish-kryeministrit Berisha nuk mund të krijojnë një mjegull aq të madhe përballë këtij rreziku të madh në të cilin Shqipëria. Duhet të kuptojmë që Kreshnik Spahiu dhe Sali Berisha nuk janë dy çuna lagjeje. Kreshnik Spahiu dhe Sali Berisha nuk janë dy qytetarë të këtij vendi apo shtetas, siç e kam quajtur më parë.

Kur takohet Kreshnik Spahiu e Sali Berisha takohen dy institucione, dy kauza, dy logo, që bëjnë aleancë përballë një rreziku shumë të madh. Sali Berisha dhe Edi Rama ndryshojnë mes tyre si nata me ditën. Pavarësisht korrupsionit që mund të ketë pasur qeveria Berisha, të cilën e ka edhe kjo qeveri, ai ka një meritë që për 25 vjet në grupin e tij parlamentar nuk futi asnjë kriminel. Ndërkohë, Edi Rama zhgënjeu 1 milion shqiptarë që e votuan, mes të cilëve edhe unë jam një prej tyre.

Keni pasur një komunikim me z. Basha për këto qëndrime? Kujtojmë se Sali Berisha mbetet institucion në PD…

Sot PD ka një kryetar që quhet Lulzim Basha. Raportet tona janë të drejtpërdrejta. Unë kam një miqësi personale me Bashën, edhe për shkak të lidhjeve profesionale. Mendoj që Lulzim Basha ka një profil shumë të lartë dhe dua të theksoj se mirënjohja dhe bashkëpunimi që bën me Sali Berishën fatkeqësisht i është keqpërdorur nga shumë faktorë.

Unë do të thosha që më mirë një Lulzim Basha mirënjohës në raport me Sali Berishën, sesa një mosmirënjohës si Edi Rama në raport me Fatos Nanon. Edi Rama e ka lënë rrugëve atë dhe të papunë. Fatos Nano endet rrugëve qëkur Edi Rama u bë kryetar partie dhe ai nuk i jep mundësinë të jetë as një deputet, as funksionar në PS, as të kandidojë për President. Ka flakur tutje njeriun që e futi në politikën shqiptare.

Në protestën e 18 shkurtit keni pasur dy momente që jeni takuar me Berishën. Çfarë konteksti kishin ato takime?

Ato takime ishin një “besa-besë” simbolike për të vazhduar në një kauzë, e cila lë pas mëritë dhe inatet personale. Mendoj që në politikë, burrat e shtetit duhet të mbyllin disa kapituj personalë dhe të shikojnë përpara në historinë e tyre politike dhe në drejtimin e vendit. Besoj që në spektrin e djathtë ai takim është pritur mirë. Unë do të theksoja edhe diç- ka, mua me Berishën dhe Bashën më lidh edhe ideologjia dhe doktrina politike. Kjo ka qenë arsyeja përse Aleanca Kuqezi nuk shkoi majtas. Një lëvizje nacionaliste nuk mund të bashkohej me internacionalistët, me të majtën shqiptare. Lëvizja jonë e ka vendin tek e djathta.

Pak ditë më parë keni pasur përplasje me një person, i cili tashmë është i ndaluar nga policia. Ishte ai një konflikt brenda çadrës, apo ashtu siç edhe keni deklaruar, ngjarja ishte një provokim?

Sigurisht që ishte një provokim i ardhur nga jashtë. Si në çdo luftë që luhet me komunistë, ka prita dhe kurthe. Ai ishte një kurth i fëlliqur.

Kreshnik Spahiun mund ta gjesh kudo, pasi unë jam nga të paktët politikanë që eci në këmbë rrugëve të Tiranës.

Vendi në të cilin ndodhi incidenti, personat që e organizuan, dy prej të cilëve ishin të armatosur, mënyra se si më goditën pas shpine, tregon se ishte një kurth që vetëm Edi Rama mund ta organizojë me bandat që ka në grupin e PS dhe në aleancë. Kemi identifikuar se cilët janë deputetët që u përfshinë në këtë atentat ndaj meje. Donin që përmes këtij akti të poshtëronin krahun radikal të kësaj proteste.

Donin të na gjunjë- zonin brenda në çadër. Donin të fusnin konfliktin brenda vetes. Donin të përulnin edhe PDnë. Përfshinë një person që kishte bërë një foto me liderin e demokratëve, Sali Berisha. Ne e dimë që me Berishën kanë bërë 1 milion njerëz foto. Fakti që më kërkuan të mos flas më për Ramën, është e qartë se ishte një skenar i përgatitur nga vetë Kryeministri.

Si mendoni se mund të arrihet kërkesa e opozitës për një qeveri teknike? Duhen drejtuar sytë nga faktori ndërkombëtar?

Jo. Këto zgjedhje kërkojnë një zgjidhje të brendshme. Kërkojnë një marrëveshje politike dhe një konsensus mbarëkombëtar. Kemi precedentë që kanë treguar se pavarësisht se maxhorancat kanë pasur numra në Parlament, për të qeverisur nuk ia kanë dalë. Do t’i bëja thirrje Kryeministrit të mos e lërë situatën të shkojë si në 1997-n, në konfrontim të armatosur. Sepse ky ka qenë gabimi i demokratëve dhe ky ka qenë gabimi i komunistëve në ’91, që e lanë të agravohet situata dhe Shqipëria shkon në tym e flakë.