Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë, Raul Gonzales i ka kërkuar sot qeverisë që të mendojë me kujdes çdo hap të ri në lehtësimin e masave.
Ai ka folur edhe për gjetjen e një vaksine për Covid-19, në një intervistë për Report Tv, por edhe vaksinën e turbekulozit, për të cilën është raportuar vazhdimisht se shërben si “mburojë” ndaj koronavirusit, por nuk e mohoi si mundësi.
Gonzales tha se ende nuk prova konkrete se vaksina e tuberkulozit ka efekt mbrojtës nga Covid-19. “Ne kemi parë disa të dhëna që disa vende që janë të vaksinuara me tuberkuloz kanë më pak raste me koronavirus. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, deri tani nuk kemi prova që të themi se vaksina e tuberkulozit ka efekt mbrojtës nga Covid-19. Mund të jetë, por na duhet disa studime që ende nuk janë bërë”, tha ai.
Medikamentet që po përdoren në botë
I pyetur nëse ka të dhëna pozitive për medikamentet që po përdoren në botë për covid-19, kreu i OBSH-së në Tiranë tha se “është herët për të pasur të dhëna por po bëhen shumë studime, po bëhet dhe një studim klinik (solidarity trial) nga Organizata Botërore e Shëndetit ku po marrin pjesë shumë shtete dhe kam nderin të them dhe që Shqipëria po merr pjesë. Ne po testojmë medikamentet e ndryshme që kanë treguar aktivitet ndaj virusit por na duhen provat. Mendoj se së shpejti do të kemi rezultate për efektivitetin e disa prej medikamenteve”.
Duke u ndalur tek vaksina e koronavirusit, Gonzalez u shpreh se nuk do të jetë pa kaluar një vit apo një vit e gjysmë, pasi se do të duhet të prodhohet sasia e nevojshme, por “çështja e vaksinës është më e komplikuar. Për vaksinën ka shumë institucione në të gjithë botën që po investojnë për vaksinën nga kënde të ndryshme. Për vaksinën na duhet një kohë më e gjatë për të parë sa efekt do të japi dhe sa e sigurt është”.
“Medikamentet që po përdorim tani janë medikamente që përdoreshin për qëllime të tjera, kështu që ne e dimë që janë të sigurta, por vaksinat duhet të kalojnë pjesën e efektivitetit por dhe pjesën e sigurisë. Edhe pasi të kemi gjetur vaksinën ose vaksinat sepse ndoshta do të kemi lloje të ndryshme të vaksinave gati dhe efektive e të sigurta atëherë do të kemi nevojë për përpjekje të jashtëzakonshme për të prodhuar sasinë e nevojshme për vaksinimin e njerëzve. Prandaj themi se vaksina do më shumë kohë dhe nuk do ta kemi më parë se një vit apo një vit e gjysmë”, tha ai.
Një valë e dytë epidemie
Raul Gonzales foli edhe për një valë të dytë epidemie, apo mundësinë që të shohim një rikthim të Covid-19 pas verës. Sipas tij, studiuesit nuk kanë mjaftueshëm prova për të folur për një skenar të tillë.
”Ne jemi në hemisferën veriore në pranverë, por në hemisferën jugore është vjeshtë. Kështu që nuk do ta merrja të mirëqenë faktin që do të kemi ndryshime në varësi të stinëve. Më mirë të përdorim konceptin e një vale të dytë që do të ishte më e lidhur me mënyrën si menaxhojmë izolimin. Nuk mund të jemi të sigurt që në momentin që lehtësojmë masat do të kemi me shumë raste. Çështja është sa raste jemi në gjendje të pranojmë dhe me shumë mundësi një gjë që duhet ta përdorim si indikator është sa raste mundet sistemi shëndetësor në çdo vend të përballojë, një valë të dytë të virusit. Prandaj nuk do të flisja për çështjen e stinëve sepse nuk kemi mjaftueshëm prova, por për valë të re virusi”, tha ai.
Lehtësimi i masave
Gonzales çdo masë që do të merret për lehtësimin duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe e llogaritur mirë. “Unë mendoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm në lehtësimin e masave, çdo hap i vogël i marrë në këtë drejtim duhet të jetë shumë mirë i llogaritur sepse ne e dimë që Covidi është në Shqipëri. Në momentin që bëjmë lëshime për masat, sigurisht që numri i rasteve do të rritet dhe strukturat spitalore do kenë më tepër kërkesa, prandaj unë e kuptoj që duhet një balancë mes lëvizjeve ekonomike dhe nevojës për të mbajtur izolimin për të kontrolluar epideminë, por çdo hap i ri duhet bërë me shumë kujdes. Cdo shtet po bën të njëjtën pyetje duhet të bëjmë disa lëshime që të lëviz ekonomia apo jo? Çdo lëvizje e vogël ju lutem le ta bëjmë me shumë kujdes dhe duke bërë përllogaritjet e ndikimit që do të ketë”, tha ai.