Sikurse konstatoi edhe revista prestigjioze e verës, Decanter, Shqipëria është diamant i pazbuluar i varieteteve autoktone.
“Me investimet në standardet e vreshtave dhe teknologjive të reja, rregullimin e kuadrit ligjor dhe të gjithë zhvillimet cilësore që kanë ndodhur në sektorin e verës shqiptare, sot jemi gati për ta prezantuar verën shqiptare gjerësisht në botë dhe këtë po bëjmë me fokus”, ka deklaruar ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ndërsa gjendet në një vizitë në Japoni.
Delegacioni shqiptar ka organizuar me Shoqatën Kombëtare të Somelierëve të Japonisë dhe përfaqësues të prodhuesve shqiptarë të verës, një degustim profesional mes dhjetëra somelierëve profesionalë të etiketave të ndryshme të verës shqiptare.
“Më erdhi mjaft mirë që bota po vlerëson cilësinë dhe karakteristikat e territorit të verërave shqiptare, duke i hapur njëkohësisht rrugën eksportit të verës në tregun e madh japonez”, ka shtuar Krifca, duke theksuar se aktivitete si ky do zhvillohen edhe në tregje të tjera të rëndësishme e me potencial.