Romelu Lukaku nuk dëshiron të bashkohet më me Manchester United. Prishja totalisht e marrëdhënieve ishte e qartë që nga momenti që Lukaku qëndroi në Belgjikë për t’u stërvitur me të rinjtë e Anderlechtit, edhe pas ditës së pushimit të akorduar nga vetë klubi. Por e reja që vjen nga Anglia është që Manchester United është gati të t’i vendosë një gjobë të majme sulmuesit, sipas asaj që shkruajnë mediat britanike. Gjoba mund të arrijë deri në 400 mijë paundë, ose e barabartë me pagesën dyjavore të sulmuesit.
Në këto kushte, drejtuesit e Interit duket se nuk qëndrojnë duarkryq, por menjëherë kanë nisur sulmin. Menaxheri Federico Pastorello ka udhëtuar menjëherë drejt Londrës për t’u paraqitur drejtuesve të Manchester United një tjetër ofertë, duke qenë se deri tani anglezët kanë rezistuar dhe nuk janë dorëzuar për një shifër më të ulët se 86 milionë euro.
Interi kështu po tenton që të mbyllë një herë e mirë këtë çështje, duke mposhtur veçanërisht Juventusin në garën për të arritur te sulmuesi belg, i cili, nga ana e tij, rrezikon që ta paguajë me një çmim të lartë zgjedhjen për t’iu vënë kundër “Djajve të Kuq”, duke thyer lejen e duke mos preferuar të qëndrojë në “Old Trafford”.
Refuzimi i ofertës së fundit të Interit nuk i ka pëlqyer aspak Lukakut, i cili përpara nisjes së merkatos kishte shprehur dëshirën për t’u transferuar në Itali dhe pikërisht tek Interi. Por United ka pranuar të bëjë asnjë ulje të çmimit të sulmuesit, duke refuzuar çdo ofertë të mbërritur nga Marotta.
Me merkaton në Angli që mbyllet më 8 gusht sa u përket hyrjeve, “Djajtë e Kuq” rrezikojnë që të mbajnë në organikë një lojtar me rrogë shumë të lartë, pa dëshirën e tij. Interi e ka nisur tashmë ofensivën finale për të arritur te Lukaku, një sulmues aq shumë i kërkuar nga trajneri Conte.