Franca dhe Gjermania u përpoqën të merrnin lidershipin europian brenda NATO-s të mërkurën, në takimin e parë ministror që kur presidenti Emmanuel Macron tha se aleanca është në vdekje klinike.
Mes shqetësimeve për besueshmërinë e presidentit amerikan Donald Trump, zemërimit për ofensivën turke në Siri muajin e kaluar dhe dyshimeve amerikane për angazhimin e Europës, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mass tha se Europa nuk duhet të veprojë e vetme.
Maas u propozoi kolegëve të tij në takim, që sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg të krijojë një komision ekspertësh që do të debatojë mbi çështje strategjike.
Franca, nga ana e saj, ngriti idenë e atij që e quajti grup personash të mençur, që do të konsiderojnë të ardhmen e NATO-s. Në përfundim të takimit. Stoltenberg rezervoi fjalë mbështetëse për ministrin gjerman.
“Propozimi i ministrit Heiko Mass mori mbështetje në të gjithë aleatëve. Mendoj se ka vlerë dhe ne do ta shqyrtojmë me kujdes, ndërsa përgatitemi për takimin e ardhshëm të liderëve”.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan dy javë para se aleanca të festojë 70-vjetorin e krijimit të saj. Tjetër njoftim i rëndësishëm në përfundim të takimit ishte se NATO do të njohë tani e tutje hapësirën, si fushën e re operacionale, përkrah ajrit, tokës detit dhe kibernetikës.
Lëvizja është një përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje për mbrojtjen e sateliteve dhe aseteve të lundrimit nga ndërhyrja e huaj. Megjithatë, Stoltenberg përjashtoi mundësinë e dërgimit të armëve në hapësirë. Çështje të tjera në axhendë ishin progresi i NATO-s në qëllim për ndarje më proporcionale të barrës financiare, dhe marrëdhëniet me Rusinë.