Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në rubrikën ‘Opinion’ në News24,ka folur për krizën politike në vend, duke kërkuar që palët të dialogojnë për të arritur një zgjidhje me sa më pak pasoja në procesin integrues të vendit. Sipas tij vetëm dialogu mund të sjellë palët në ‘binarët’ e kushtetueses.
“Natyrisht ne jemi në një moment delikat e kur pyetemi për protestat besoj se ato janë një instrumente i shëndetshëm, por problemi është në faktin se për herë të parë opozita ka marrë një veprim ekstrem siç është djegia e mandateve. Është një veprim që ka pasoja për të gjithë jetën politike. Nuk kam qenë ndonjëherë mbështetës i bojkotit, pasi nuk është mjeti për arritjen e një qëllimi politik. Djegia e mandateve është një rrugë pa kthim. Ky veprim do impaktojë edhe në vendimin për çeljen e negociatave. Dialogu është e vetmja rrugë që trajton këtë sistem. Dialogu do sillte palët në ‘binarët’ e Kushtetueses. Zgjedhjet mund të kenë pasur mangësi, por mendoj se në rastet kur opozita ka dyshime duhet t’i drejtohen institucioneve”, tha Bushati.
I pyetur se sa ndikon situata politike në vend në vendimin e KE për çeljen e negociatave të anëtarësimit, Bushati u shpreh e duhet të shihet përtej kësaj.
Sipas tij, Evropa jeton pa Shqipërinë edhe 50 vite ashtu siç mund të jetojë edhe Shqipëria pa Evropën.
“Rreziku që i kanoset Shqipërisë nga mungesa e perspektives evropiane është një rrezik më i madh për Shqipërinë se sa për projektin evropian. Shqipëria nuk mund të jetojë pa perspektivën evropiane. Mendoj se çdo papërgjegjshmëri e politikës do ndihet më vonë. Fillimi i bisedimeve është në interes të të gjitha palëve. Evropa jeton pa Shqipërinë edhe 50 vjet, ndërsa ne kemi më shumë diell seç ka në Bruksel, por na takon ne që të gjejmë një fushë mirëkuptimi për rregullat e shtetit”, tha ish-kreu i MEPJ.
Bushati tha se duket paradoksale që një shtet me 30 vite demokraci nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Sipas tij, Lulzim Basha nuk do të shkojë asgjëkundi me logjikën e imponimit, ndaj duhet dialog.
“Sot kur flet me një gjerman apo austriak është paradoksale që te mendohet se pas 30 viteve Shqipëria nuk ka një Gjykatë Kushtetuese. Duhet një klimë e paqtë politike. Basha tha se nuk bëjmë më dialog dhe unë nuk e di si mund ta dalim nga kjo situatë. Opozita ka të drejtën e saj të bëjë protesta, por logjika e imponimit nuk është e shëndetshme për shoqërinë. Më vjen turp që ne ende eksportojmë krizën dhe problemet tona në gjithë të huaja në institucionet evropiane gjë që fqinjët tanë nuk e bëjnë. Gabim që mendojmë se të huajt do na zgjedhin problemet. Shteti nuk bëhet vetëm nga njëra palë”, theksoi Bushati.