Kryetarja e LSI ka deklaruar se kryeministri Edi Rama nuk po reflekton përballë interesave të vendit.
Mirëpo përmes një mesazhi të gjatë në “Facebook”, Kryemadhi bën thirrje për paqe. Ajo shkruan se qytetarët duhet të distancohen nga dhuna.
Thirrjet e Kryemadhit pasi zyrtari i lartë amerikan, Matthew Palmer, tha sot se partitë që nxisin dhunën do të kenë ‘punë’ me SHBA-të.
Mesazhi i Kryemadhit:
Lëvizja Socialiste për Integrim, e vetëdijshme për rolin e saj si forcë politike e përgjegjshme, konstruktive dhe me ndikim në jetën politike të vendit;
Me përgjegjësinë si misionare e integrimit europian të Shqipërisë dhe për të kontribuar në mbrojtje të vlerave të demokracisë, të pluralizmit politik dhe të kushtetutshmërisë së veprimtarisë së institucioneve shtetërore;
Vëren me shqetësim se mungesa e reflektimit të përgjegjshëm përballë interesave të vendit nga ana e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama si dhe përpjekja e tij për t’ia kundërvënë pushtetin shtetit përmes komandimit politik të institucioneve ligjzbatuese;
Po provokon një situatë tensioni politik, konflikti social dhe përplasjesh në mes të institucioneve, çka fatalisht mund të çojë në përshkallëzim të akteve të dhunës dhe cënim të sigurisë së jetës së qytetarëve.
Në këto kushte;
LSI iu drejtohet të gjithë qytetarëve shqiptarë të distancohen dhe të dënojnë aktet e dhunës kudo dhe prej kujtdo që të manifestohen ato;
Si qytetarë të përgjegjshëm të Republikës së Shqipërisë, të gjithë pa përjashtim, pavarësisht bindjeve apo simpative politike, duhet të ruajnë qetësinë e duke vënë interesat e larta të atdheut mbi çdo gjë tjetër, të distancohen me forcë nga çdo akt provokativ, dhe në zbatim të ligjit, të denoncojnë cilindo që do të tentojë të prekë e rrezikojë jetën e qytetarëve, lirinë e tyre apo institucionet e shtetit.
LSI u kërkon të gjithë shqiptarëve të refuzojnë pjesëmarrjen në aktin e turpshëm e të paligjshëm të krijimit të shtetit paralel, me të cilin Edi Rama po përpiqet të sfidojë Republikën, Kushtetutën, Demokracinë dhe Pluralizmin Politik.
Lëvizja Socialiste për Integrim u bën thirrje anëtarëve, simpatizantëve dhe veprimtarëve të saj në të gjithë Shqipërinë, që të mos bien pre e provokimeve të cilat do të vijnë duke u shtuar, pasi makineria kriminale e pushtetit të votave të krimit, e përfshirë prej panikut e frikës së ndëshkimit të afërm, do të përpiqet me çdo mjet dhe me çdo mënyre të krijojë kaos, konfuzion dhe konflikt, për të përligjur përpjekjen kriminale të Edi Ramës për të rrëzuar Republikën dhe për të marrë peng shtetin.
Në këto kushte, Lëvizja Socialiste për Integrim i drejtohet drejtpërdrejt Kryeministrit Edi Rama, të ndalë gjuhën e urrejtjes dhe të përçarjes mes shqiptarëve, të heqë dorë nga përgojimi, shpifjet dhe fyerja që janë bërë refren i veprimtarisë së tij, të ndalë makinën e tij të krimit dhe procesin e kundërligjshëm të 30 qershorit, sepse në të kundër ai do të jetë përgjegjësi kryesor për gjithë sa mund të ndodhë!
LSI ka dokumentuar dhe do të vazhdojë të dokumentojë gjithë veprimtaritë okulte e në kundërshtim flagrant me ligjin që po përgatitin falangat e krimit shtetëror dhe do ti denoncojë ato me forcë publikisht, siç ka bërë e do të vazhdojë ta bëjë edhe pranë institucioneve ndërkombëtare dhe misioneve të tyre të vëzhgimit dhe monitorimit.
LSI u bën thirrje forcave të Policisë së Shtetit që të ruajnë shenjtërinë e misionit dhe të uniformës së tyre në shërbim të ligjit dhe në mbrojtje të qytetarëve, e të mos iu binden urdhërave të kundërligjshëm të ministrit e shefave shërbëtorë të krimit, që duan ta venë policinë kundër popullit, përmes skenarëve kriminalë të përgatitur nga vjedhësit e votave dhe ortakët e tyre të krimit zgjedhor.
Përpjekja për të imponuar zgjedhjet partiake të partisë së Kryeministrit si zgjedhje lokale në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, është provokimi më i rëndë që po ju bëhet sakrificave dhe ëndrrës së shqiptarëve për Shqipërinë si Europa, ndaj me Shqipërinë të parën dhe mbi gjithçka;
Jo dhunës!
Jo përçarjes!
Jo konfliktit!