Me një gjuhë të ashpër politike, Monika Kryemadhi është shprehur se LSI-ja e drejtuar nga ajo, ka ndryshuar.
Në mbledhjen e Komitetit Drejtues, Kryemadhi tha se kjo parti, nuk është i ngjason më asaj të drejtuar nga Ilir Meta, ku kërkonte që t’i zgjidhte problemet “me qetësi dhe dashuri” e donte stabilitet, por është partia e revoltës.
“Meqenëse se ka merak shumë të madh për Lëvizjen Socialiste për Integrim, po ja bëjë të qartë që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është më e kohës kur kishte Ilir Metën kryetar partie, që kishte hallin e stabilitetit dhe qetësisë dhe të dashurisë. Dashuria dhe qetësia me kriminelin ka mbaruar, dashuri dhe qetësi me kriminelin nuk ka, dashuri dhe qetësi me atë njeri që ka veshur me të zeza nënat e shqiptarëve për djemtë e tyre të humbur, për fëmijët e tyre të vrarë ne Kolumbi dhe në gjithë Amerikën e Jugut si peng i kontenierëve të drogës që vijnë në Shqipëri, do të mbarojë. Ia bëj të qartë Edi Ramës dhe të gjithë banditëve të tij, që të ketë kujdes se katër bandat e tij përballë milionave të shqiptarëve janë shumë të vogla, por të mos harrojë dhe një gjë, që në çdo shtëpi të shqiptarëve e ka një luftëtar që di të marrë shenjë aty ku është për t’u marrë. Akoma nuk ka filluar ajo që ai mendon se ka filluar. Revolta e shqiptarëve akoma nuk ka filluar”, tha Kryemadhi,
Fjalën e saj, kryetarja e LSI-së e nisi duke komentuar marrëveshjen opozitare, të arritur pak ditë më parë. Sipas saj, qëllimi i kësaj marrëveshje me PD dhe partitë e tjera opozitare është një qeveri tranzitore, sipas së cilëve do të mundësojë realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këtë qëllim, Kryemadhi tha se ia ka bërë të qartë edhe faktorit ndërkombëtar, duke theksuar se pavarësisht çdo përpjekeve të tyre për të gjetur një zgjidhje pa arritur deri në pengimin e zgjedhjeve, ata nuk do të lëkunden nga qëndrimi i tyre.
“Marrëveshja jonë me opozitën dhe me partitë e tjera opozitare është shumë e qartë. Qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jo qeveri tranzitore që garanton parti politike, por qeveri tranzitore që garanton qytetarët shqiptarë që janë të lirë të zgjedhin atë politikan apo atë parti politike që ata duan ti drejtojë. Për sa i përket faktorit ndërkombëtar ne ia kemi bërë shumë të qartë dhe jemi përsëri të palëkundur në qëndrimin tonë. Kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, një sistem të fortë, një sistem të barabartë për çdo qytetar”, tha Kryemadhi.