Kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov tregon arsyen e vërtetë se përse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po hasin vështirësi për të marrë nga të gjitha vendet anëtare një përgjigje pozitive sa i përket hapjes së negociatave.
Përpara nisjes së samitit të BE-së, ai deklaroi se presidenti francez Emmanuel Macron po refuzon që të japë një përgjigje pozitive, sepse u refuzuan komisarët e propozuar në Komisionin Europian.
“Nëse bëhet një gabim i tillë atëherë nuk duhet të zemërohemi për problemet që do të ndodhin, që do të ketë xhihadistë, ndikime nga Rusia, Turqia apo Kina. Ky vakum nuk mund të vazhdojë dhe do të mbushet nga ndonjë tjetër dhe kjo nuk është mirë për Bullgarinë. Por disa vende i ngatërrojnë problemet e tyre të brendshme. Vendet anëtare nervozohen me atë se komisarët u refuzuan. Ballafaqimet politike sjellin luftë të brendshme. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë mbështetje.”, theksoi shefi i qeverisë bullgare.
Borisov tha se nuk mund t’i kuptojë pohimet se ekzistojnë rreziqe nga inkuadrimi i të dyja vendeve.
“Maqedonia e Veriut sipas popullatës dhe territorit është sa Sofja dhe çfarë rreziku mund të jetë? Ky është si një qytet i vogël europian dhe nuk është e drejtë ta tregojmë karakterin kundër atyre. Nuk pajtohem me këtë. Por, shumë nga shtetet e mëdha europiane kanë probleme të brendshme dhe më lehtë është të gjesh një armik të jashtëm që mund t’i hedhësh fajin”, deklaroi Bojko Borisov.