Kryesore Kthimi i “Shën Sofisë” në xhami, Janullatos: Na kthen në kohë të...

Kthimi i “Shën Sofisë” në xhami, Janullatos: Na kthen në kohë të errëta të historisë

Vendimi i Turqisë për t’i rikthyer “Shën Sofisë” apo Kishës së Urtësisë së Perëndisë, statusin e xhamisë, është komentuar edhe nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Në një reagim në faqen zyrtare, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, e quan vendimin një veprim tragjik, që minon shpresën më të madhe të epokës, bashkekzistencën e feve dhe qytetërimeve.

“Ky vendim na kthen pas, në aspekte të errëta të historisë. Një vend si Turqia, që dëshiron të jetë pararojë, zgjedh rolin e praparojës së vonuar kulturore. Është mëkat edhe gabim kur vaji i fesë përdoret për të ndezur dhe për t’i shërbyer qëllimeve nacionaliste. Qëllimi fisnik i fesë është të qetësojë plagët dhe të paqësojë shpirtrat e njerëzve”, shprehet Janullatos.

Të premten, Dhoma e Lartë në Turqi mori vendimin për ndërrimin e statusit të kësaj ndërtese, duke argumentuar se në tapinë origjinale, Shën Sofia është një xhami.

Vendimi u përcoll me kritika të shumta, ndërkohë që për presidentin Rexhep Taip Erdogan, kjo është përmbushje e një prej premtimeve të tij gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar.