Politika Rama: E pakuptimtë që kryeministri apo kryebashkiaku t’iu mbajë pishën të gjithë...

Rama: E pakuptimtë që kryeministri apo kryebashkiaku t’iu mbajë pishën të gjithë vartësve

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, e konsideroi “fare të pakuptimtë” idenë që “kryeministri, ministri apo kryetari i bashkisë duhet t’u mbajnë pishën tërë vartësve të tyre dhe duhet të dinë çdo gjë”.

“Ideja se qeveria dhe çdo institucion i linjës ekzekutive duhet të merret me hetime dhe denoncime është e vjetër, dritëshkurtër dhe e pasuksesshme në funksion të parandalimit të korrupsionit. E pakuptimtë fare pastaj ideja që kryeministri, ministri apo kryetari i bashkisë duhet t’u mbajnë pishën tërë vartësve të tyre dhe duhet të dinë çdo gjë sepse nëse do ta bënin këtë, do të duhej të shpërdoronin detyrën duke futur hundët në procese që ligjërisht janë të pavarura prej tyre dhe përgjegjës para ligjit janë vetëm personat e autorizuar. Kjo nuk do të thotë se këta persona të autorizuar mund të bëjnë çfarë të duan, duke menduar se nuk i kontrollon askush, e duke shpresuar që nuk do i bjerë radha të shkojnë para drejtësisë. Kjo do të thotë se para se t’i vijë radha drejtësisë, korrupsioni duhet të përballet me filtra transparence, për të cilat kemi bërë hapa para këto vite”, tha Rama.

“Shtrirja kapilare e digjitalizimit të shërbimeve publike dhe ngritja e sistemeve inovative të ankesave janë shembulli domethënës për të gjithë shqiptarët i ngritjes së një sistemi mbrojtës të atyre vetë nga virusi i korrupsioni endemik që prekte këdo kur ne morëm detyrën”, shtoi kryeministri.