Kupa e Shqipërisë zbuloi 8 çerekfinalistët që mbeten në garë për trofeun, një fazë kjo që dominohet nga Kategoria Superiore.
Tirana eliminoi Flamurtarin pavarësisht humbjes së pësuar. Në sfidën e zhvilluar në Vlorë, skuadra e Ilir Dajës fitoi 1-0 me golin e Kale në fillimin e pjesës së dytë, por bardheblutë kalojnë më tej falë suksesit të pastër 2-0 në sfidën e parë.
Partizani e ktheu në formalitet ndeshjen me Kastriotin, të cilin e mundi edhe në ndeshjen e dytë me rezultatin 3-0. Hebaj zhbllokoi rezultatin për Partizanin, ndërkohë që Mensah dhe Cinari në pjesën e dytë fiksuan shifrat në 3-0.
Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Skënderbeu ndaj Besëlidhjes, duke u kualifikuar mes 8 më të mirave të Kupës. Kalimi i këtij turi rikthen, edhe pse përkohësisht, optimizmin te korçarët që po përjetojnë një krizë në kampionat.
Kukësi dhe Laçi përmbysën gjithçka dhe u kualifikuan në çerekfinale. Skuadra e Armando Cungut fitoi 2-0 ndaj Apolonisë, duke e mbyllur përballjen me fierakët me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Golat për Kukësin, nga një për çdo pjesë, u shënuan nga Shkurtaj dhe Ethemi.
Laçi fitoi 3-0 sfidën e tij me Bylisin, duke e bërë të pavlefshme fitoren 2-0 të ndeshjes së parë të ballshiotëve.
U respektua skenari edhe në Durrës. Teuta mundi 4-0 Lushnjen, ndërsa Kamza mundi 1-0 Vllazninë dhe u kualifikuar falë golit kundërshtar pasi ndeshja e parë u mbyll 2-1 për shkodranët.
E vetmja ndeshje pa gola në Kupë, ajo mes Luftëtarit dhe Egnatias i dha kualifikimin gjirokastritëve që ishin imponuar 3-0 në sfidën e parë.