Kryesore Kur i ndjeri ish-ambasadori Jozef Limpreht u godit nga një “fake news”

Kur i ndjeri ish-ambasadori Jozef Limpreht u godit nga një “fake news”

Hysni Buci, ish-kreu i komunës së Lurës, e ka peng jo vetëm që nuk e shijoi një drekë me ish-ambasadorin Limpreht, por dhe se dha shpirt atyre anëve të bukura, për t’u pasuar nga një thashethem që në gjuhën e sotme mediatike njihet si “fake neës”. Ahere nuk kishte rrjete sociale, ku jo vetëm gënjeshtra i ka këmbët goxha të gjata, por dhe fluturon me shpejtësi skëterë.

E megjithatë, “fake news” ka patur në çdo kohë.  E një prej tyre është ai për vdekjen e ish-ambasadorit Limpreht më 19 maj 2002, teksa po vizitonte bukuritë mahnitësve të Lurës, në një ditë pranvere pra.

Ka qenë festa e Shën Kollit atë ditë – kujton ish-kryekomunari Buci. “Erdhi në zyrën time bashkë me të shoqen. Ndenjëm e biseduam përreth dy orë. Folën për shumëçka që kishte lidhje me Lurën dhe natyrën në përgjithësi, bukuritë e Shqipërisë, e aspak për politikë”, rrëfen ai.

Buci sqaron se veç çiftit Limpreht, ishin dhe një pjesë e stafit të Ambasadës Amerikane, të cilët pra kishin zgjedhur atë ditë për ta shijuar Lurën.

Pas bisedës në zyrë, ata dolën dhe morën rrugën nga liqenet. Unë do i prisja për drekë në shtëpinë time, kur erdhi lajmi i zi që ambasadori ndërroi jetë nga një atak kardiak. Kjo ka ndodhur në një buzëliqeni, ku krah tij ka qenë e shoqja. Nuk e di se nga doli ajo sajesë që ia përlyu imazhin në atë fundjete”, thotë ish-kryekomunari Buci.

Siç u përfol në atë kohë, ambasadori paskësh qenë atyre anëve me një femër nga bota VIP shqiptare.

Por më tepër se në media, kjo qarkulloi si thashethem në opinion. Gjithsesi, në mungesë të rrjeteve sociale nuk pati efektin e tmerrshëm të një “fake news”-i në drejtim të përhapjes pa frerë.

Si fakt e argument njëherësh se ç’ka flitej mbi fundin lapërdhar të dyshuar të të ndjerit Jozef Limprehtit nuk kishte aspak e vërtetë, Hysni Buci ruan sot një foto me çiftin amerikan pak para ikjes së tij nga botë, duke qenë pra krah gruas së tij.

Burimi: tesheshi.com