Bota ka mbyllur dyert. Vendet që dikur ishin mbushur me njerëz që kalonin nxitimthi për të mbajtur ritmin e jetës së përditshme, janë kthyer në qytete fantazmë për shkak të kufizimeve masive të ndërmarra nga autoritetet.
Është një reagim i pashembullt global për një sëmundje. Por kur do të përfundojë kjo pandemi dhe kur do të jemi në gjendje të vazhdojmë jetën tonë?
Kryeministri Boris Johnson ka thënë për shembull se ai beson se Mbretëria e Bashkuar do të mund ta vërë në kontroll shpërthimin e virusit brenda 12 javëve të ardhshme kur sipas tij, Britania do t’i vërë shkelmin virusit.
Por ekspertët thonë se edhe nëse numri i infeksioneve fillon të bjerë në tre muajt e ardhshëm, prapë do të jemi larg fundit të pandemisë. Mund të duhet një kohë e gjatë që virusi të mposhtet, ndoshta vit. Është e qartë se strategjia aktuale e izolimit të qytetarëve nuk është e qëndrueshme në planin afatgjatë pasi dëmi social dhe ekonomik do të ishte katastrofik.
Ajo që globi ka nevojë është një “strategji daljeje” dhe të gjejë një mënyrë për të hequr kufizimet dhe për t’u rikthyer në normalitet.
Por koronavirusi nuk do të zhduket. Nëse heqim kufizimet sikur nuk ka ndodhur asgjë, atëherë numri i të prekurve do të rritet në mënyrë të pashmangshme.
“Ne kemi një problem të madh me strategjinë se si do të dalim nga kjo situatë”, thotë Mark Uoolhouse, një profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin e Edinburgut. “Jo vetëm Mbretëria e Bashkuar, por asnjë vend nuk ka një strategji daljeje. Kjo është një sfidë masive shkencore dhe shoqërore”, thotë ai
Një vaksinë duhet të na ofrojë imunitet që të mos sëmuremi nëse ekspozohemi nga koronavirusi. Nëse vaksinohen rreth 60% e popullsisë, virusi nuk mund të shkaktojë shpërthime epidemike, një koncepti i njohur si imunitet i turmës. Në SHBA u mbajtën këtë javë testimet e para për vaksinën.
Hulumtimi për vaksinat po zhvillohet me një shpejtësi të paparë, por nuk ka garanci se do të jetë i suksesshëm. Supozimi më i mirë është që vaksina ndodhet 12-18 muaj larg nëse gjithçka shkon mirë. Por kjo është një kohë e gjatë pritjeje, sidomos në kohën kur përballeni me kufizime të pashembullta sociale në kohë paqeje.
“Të presësh një vaksinë nuk është strategji kombëtare”, thotë Uoolhouse.
Imuniteti natyror, të paktën dy vjet larg
Strategjia afatshkurtër në Mbretërinë e Bashkuar është të kufizojë rastet sa më shumë që të jetë e mundur për të parandaluar që spitalet të mbingarkohen, pasi kur të mbarojnë shtretërit e kujdesit intensiv, numri i të vdekurve do të rritet.
Sapo epidemia të vihet disi nën kontroll, autoritetet mund të lejojnë që të hiqen disa masa për një kohë të shkurtër, derisa numri i të infektuarve të rritet sërish dhe të nevojitet një raund tjetër kufizimesh.
Ndjekja e kësaj strategjie mund të çojë në imunitetin e turmës, ndërkohë që numri i të prekurve do të ishte i jashtëzakonshëm.
“Por imuniteti i turmës mund të duhet me vite për tu arritur”, thotë Neil Ferguson, ekspert nga Imperial College London. “Pra nëse do ta vazhdonim për dy vjet këtë strategji, mbase një pjesë e madhe vendit mund të ishte infektuar deri në atë pikë sa për të ndërtuar imunitetin e turmës.”
Por ekziston një pikëpyetje nëse ky imunitet do të zgjasë. Koronavirusët e tjerë, të cilët shkaktojnë simptoma të ngjashme me ftohjen, shkaktojnë uljen e imunitetit dhe njerëzit mund të sëmuren nga i njëjti virus shumë herë në jetën e tyre.
“Mundësia e tretë është ndryshimi i përhershëm i sjelljes tonë sociale në mënyre që të mbajmë nivele të ulëta përhapjeje”, thotë Uoolhouse.
Kjo mund të përfshijë mbajtjen në fuqi të disa prej masave që janë zbatuar ose testime rigoroze dhe izolim të pacientëve.
“Gjurmimi i kontakteve të të prekurve ka treguar se nuk funksionoi”, shton ai. Por gjetja e medikamenteve që mund të trajtojnë me sukses Covid-19 mund të ndihmojë”.
Ato mund të përdoren menjëherë pasi njerëzit tregojnë simptoma, për t’i ndaluar t’i kalojnë infeksionin të tjerëve ose për të trajtuar pacientët në spital për ta bërë pandeminë më pak vdekjeprurëse. Kjo do t’i lejonte autoritetet të trajtonin më shumë pacientë, përpara se të kishin nevojë të rivendosin kufizimet.
Rritja e numrit të shtretërve të kujdesit intensiv do të kishte një efekt të ngjashëm duke rritur aftësinë për të përballuar shpërthime më të mëdha.
Por ndërkohë që flasim, shumë vende shpresojnë se shkenca të dalë me një zgjidhje./BBC