Pyetja që e gjithë bota do një përgjigje është: Saktësisht sa njerëz janë të shëruar nga Covid-19?
Shumë njerëz kanë simptoma të lehta dhe mund të shërohen në shtëpi, pa ndihmën e një stafi mjekësor, ndërsa në shumë raste të tjera është e domosdoshme shtrimi i tyre në spital.
Por është e vështirë të përcaktosh saktë numrin e të shëruarve pasi raportet në disa shtete bazohen te raportimet e mediave lokale dhe ka gjasa që numri i personave që kanë mundur Covid-19 të jetë më i lartë.
Por kur mund të quhet një pacient se është shëruar?
Aktualisht nuk ka një trajtim të krijuar vetëm për të luftuar Covid-19, por të infektuarit mund të shërohen me kujdesin e duhur shëndetësor, përmes medikamenteve apo udhëzimeve të tjera.
Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes e cilëson një pacient të rikuperuar nëse plotëson tre kritere:
1- Nuk ka temperaturë për të paktën 72 orë, pa përdorur ilaçe.
2- I përmirësohen simptomat e tjera, si kolla apo vështirësia në frymëmarrje.
3- Ka kaluar një periudhë prej të paktën 7 ditësh nga shfaqja e simptomave të parë.
Shtuar tre kritereve është edhe fakti që dy testimet t’u dalin negative radhazi, me një diferencë prej 24 orësh nga njëri-tjetri.
I rikuperuar nuk do të thotë që një pacient menjëherë do të ndihet i shëndetshëm. Mjeku amerikan Bala Hota thotë se shumë nga pacientët e tij ndihen të lodhur dhe ende kanë një kollë të zgjatur edhe nëse i plotësojnë tre kriteret. “Shërimi mund të marrë ca kohë”, thotë ai.
Mund të duhen disa javë për t’u rikuperuar plotësisht nga koronavirusi.
“Duhen deri në gjashtë javë për t’u shëruar nga kjo sëmundje. Personat që vuajnë nga një sëmundje shumë e rëndë mund të duhen muaj për t’u shëruar plotësisht”, thotë mjeku.