Komuniteti i mjekëve dhe shkencëtarëve është shprehur skeptik, por pavarësisht skepticizmit të tyre, një grup studiuesisht izraelitë flasin me bindje se brenda një viti do të kompletojnë një kurë universale kundër të gjitha llojeve të kancerit.
“The Jerusalem Post” foli në fillim të kësaj jave për punën kërkimore të laboratorëve të AEBi (Accelerated Evolution Biotechnologies) me vendndodhje në Ness Ziona të Izraelit. Dan Aridor është drejtuesi i kompanisë në fjalë, e themeluar në vitin 2000. “Kemi besim se brenda një viti do të hedhim në treg një kurë të plotë shëruese kundër kancerit”, thotë ai me bindje.
Studiuesit izraelitë thonë se jo vetëm do ta realizojnë këtë kurë, por do ta ofrojnë atë në treg me çmime të ulta dhe të përballueshme për të gjitha shtresat e shoqërisë. Dan Aridor nuk jep asnjë sinjalizim se për ç’kurë bëhet fjalë dhe asnjë hollësi të mëtejshme, përveç faktit që është “testuar me dhjetra herë me sukses tek minjtë”. E gjitha kjo ka bërë që shumë kolegë të tij të jenë mosbesues.
“Të gjithë shpresojmë që të kenë të drejtë. Por, fatkeqësisht duhet të kemi parasysh se jemi shumë larg zbulimit të një kure universale për kancerin”, shkroi në rrjetet sociale Len Lichtenfeld nga “American Cancer Society”.
Lichtenfeld cilëson si handikape të mëdha të lajmit të përhapur nga kolegët e tij izraelitë informacionin e cunguar të shpërndarë në lidhje me studimin. “Me aq sa di unë nuk është publikuar në asnjë revistë shkencore dhe as që është hedhur për diskutim në komunitetin e shkenctarëve për të qenë subjekt debati, mbështetje apo kritike”, vëren ai së pari.
Së dyti, thotë ai, është se edhe nëse merret i mirëqenë suksesi i testimeve tek minjtë, përvoja ka treguar se kalimi nga testimi tek kafshët tek përdorimi i kurës tek njeriu është një tjetër sfidë.