Kosova Kurti akuza ndaj Lajçak: I lidhur me Vuçiç, në Bruksel u gjenda...

Kurti akuza ndaj Lajçak: I lidhur me Vuçiç, në Bruksel u gjenda përballë një skenari

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë kritika ndaj përfaqësuesit të BE-së Miroslav Lajçak në takimin e fundit që pati në Bruksel me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Sipas tij, ndërmjetuesi i dialogut Lajçak u pozicionua kundër Kosovës dhe se ishte në koordinim me Presidentin serb Vuçiç.

“14 Shtatori pati një pozicion të ndërmjetësit kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes bazike në veçanti. Ata kanë shkuar larg me të ardhmen e Kosovës. Në situatën që jemi nuk mund të shtrembërohen në gjykimin tim. Ose do të zbatohet marrëveshja bazike në tërësi ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që do Serbia, kjo logjikë ka vdekur”.

Kryeministri i Kosovës theksoi se në Bruksel, në takimin me Vuçiç, me praninë e ndërmjetësve të BE-së, u gjend përballë një skenari.

“Në takimin trilateral, u ekspozova përballë një sklenari të cilin z. Lajçak dukej se e kishte dizejnuar kohë më parë. Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy thanë që ky plan është shumë jorealist. Në takimin e parë, m’u kërkua që të kalojmë menjëherë në një proces negocimi të statutit të përcaktuar në nenin 7 të marrëveshjes bazike në lidhje me nenin 10. Ua bëra të qartë që një hap të tillë nuk mund ta ndërmerrnin pa u dakordësuar në mënyrë të plotë për planin e zbatimit të sekuencuar”.

Kurti etiketoi direkt Lajçakun se është rreshtuar në krahun e Serbisë dhe për këtë kërkoi që të japë llogari përpara institucioneve të BE-së.

“Emisari evropian Lajçak natyrisht se nuk me jëp llogari mua si Kryeministër. Ai u jep llogari Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian. Ajo se çka kam thënë në veçanti kohët e fundit, është mëse e mjaftueshme për këtë llogaridhënie”.