Kryesore Kurti: Aleanca e Mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, jashtëzakonisht e rëndësishme

Kurti: Aleanca e Mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, jashtëzakonisht e rëndësishme

Ejup Maqedonci dhe Pirro Vengu

Një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon e ka cilësuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nënshkrimin e Deklaratës për Aleancë të Mbrojtjes midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, që synon forcimin e partneritetit ushtarak.

“Hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon, përmes mbrojtjes, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të vendeve tona paqedashëse, me deklaratën trepalëshe për aleancë ushtarake të nënshkruar sot në Tiranë”.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi përfshin operacione të përbashkëta ushtarake, trajnime dhe rritje të ndërveprueshmërisë mes forcave të armatosura të tre vendeve ballkanike, në dritën e sfidave të reja gjeopolitike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore.

Aleanca do të jetë e hapur për zgjerim të mëtejshëm, duke mos e përjashtuar mundësinë që shtete të tjera të bashkohen në të ardhmen, dhe Bullgaria është përmendur si kandidate potenciale për t’iu bashkuar Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Kjo aleancë është ndërtuar në bazë të modelit të Mbrojtjes së Mençur të NATO-s, një koncept që synon përmirësimin dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse përmes bashkëpunimit të ngushtë.

NATO-ja aktualisht ka 26 projekte aktive në kuadër të këtij koncepti, ndërsa 6 janë mbyllur me sukses pas përmbushjes së objektivave.