Sot është afati i fundit për prokurorët anëtarë të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion që dëshirojnë të drejtojnë këtë strukturë, që të dorëzojnë dokumentacionin së bashku me vizionin e tyre për këtë organ të ri të reformës në drejtësi.
Duke qenë se deri më tani funksionon me tetë anëtarë, drejtuesi do të ketë një mandat të përkohshëm prej tre muaj.
SPAK pritet të fillojë punë më datë 19 dhjetor pasi të betohen para Presidentit të Republikës.
I pari që ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën është prokurori Arben Kraja.
Kraja është i njohur si prokurori që hetoi dosjen hetimore për Rrugën e Kombit, ku u hetua edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ndërkohë, si kandidatë potencialë që mund të dorëzojnë në KLP kërkesat për të drejtuar SPAK-un në orët në vazhdim shikohet edhe prokurorët Edvin Kondili dhe Altin Dumani.
Lista e prokurorëve përbëhet nga Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho.
Anëtarët e SPAK-ut do të kenë një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë emërimi. Në të njëjtën mbledhje, KLP hapi garën për drejtuesin e përkohshëm të kësaj strukture, e cila do të ketë si fokus hetimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe krimin e organizuar.
Për të zgjedhur drejtuesin e SPAK, kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi propozoi që çdo anëtar i KLP-së të votojë duke shpjeguar pikëzimin e tij për çdo kandidat në një formular pikëzimi. Formula do të gjejë zbatim në rast se përballë prokurorit Kraja do të ketë kandidatura të tjera dhe mbetet për t’u parë nëse kjo do të ndodhë.
Prokurorët e SPAK mund të hetojnë që nga presidenti, kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësi të qeverisë ose jo. Kjo strukturë do të ketë ndihmën e një strukture tjetër hetimore që është Byroja Kombëtare e Hetimit, (BKH), anëtarët e të cilës janë hetuesit dhe oficerë të Policisë Gjyqësore.