Një 33-vjeçar nga Gjermania, mund të jetë europiani i parë që u infektua me koronavirus, përkatësisht Covid-19, dhe e transmetoi atë më tej, shkruan “Corriere della Sera”. Nga ai, infeksioni ka arritur deri në Itali.
Italianët i referohen një letre të botuar nga ekspertë gjermanë në New England Journal of Medicine.
Sipas mjekëve gjermanë, “një sipërmarrës 33-vjeçar gjerman ndjeu dhimbje të fytit, dobësi dhe dhimbje në muskuj, më pas pati ethe në 24 janar të këtij viti”. Të nesërmen ai pati një temperaturë prej 39.1 gradë Celsius dhe filloi të kollitet. Por ditën tjetër u ndje më mirë dhe u kthye në punë më 27 janar.
Sipas mjekëve gjermanë, ai ishte në një seri takimesh pranë Mynihut me partneren e tij në biznes, një kineze. Ajo qëndroi në Gjermani midis 19 dhe 22 janarit.
“Gjatë qëndrimit në Gjermani, ai nuk tregoi asnjë simptomë të infeksionit, por shenjat e para i dha gjatë fluturimit të kthimit për në Kinë. Ajo u testua atje dhe më 26 janar rezultoi pozitive, pra e infektuar me virusin Covid-19”, thanë mjekët.
Gruaja menjëherë e njoftoi kompaninë e saj se ishte infektuar, pas së cilës u hetuan të gjitha kontaktet që kishte patur, përfshirë dhe biznesmenin gjerman, i cili u dërgua menjëherë në një spital në Mynih për të bërë testin.
Që më 28 janar, ai dhe tre punonjës të rinj të kompanisë në Gjermani rezultuan pozitivë me Covid-19, por askush prej tyre nuk pati një formë serioze të sëmundjes.
“Infeksioni duket se është përhapur gjatë periudhës së inkubacionit në pacienten e parë në Kinë, në këtë rast sëmundja ishte e shkurtër”, thonë mjekët gjermanë.
Sidoqoftë, ekspertët thonë se është e kotë të kërkosh pacientin zero, sepse ndoshta mund të jetë, por mund të jenë edhe qindra.
Dhe ndërsa po kërkohen “pacientët 0”, numri i të infektuarve nga koronavirusi po rritet në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, me Zvicrën dhe Irakun që regjistruan vdekjet e para.
Sipas të dhënave më të fundit, numri i të infektuarve në të gjithë botën është rritur në më shumë se 96,000, me 3.300 të vdekur në 84 vende.