Bota Kush është filozofi (fashist) më i cituar nga Putin

Kush është filozofi (fashist) më i cituar nga Putin

Edhe pse Vladimir Putin ka qenë një agjent sekret i KGB-së gjatë regjimit komunist, ai dukshëm ka ndërruar mendje për sa i përket asaj epoke. Jo shumë vite më parë, ai cilësonte kolapsin e Bashkimit Sovjetik si “ngjarja më tragjike e historisë botërore”.

Por koha dhe pushteti gjithmonë e më totalitar me të cilin dominon Kremlinin dhe përditshmërinë politike në Rusi, ka bërë që të ndryshojë pikat e tij të referimit.

Një nga këto, shpesh herë i cituar nga vetë Putin por si pasojë edhe nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, është filozofi Ivan Ilyn që, si paradoks, cilësonte pikërisht revolucionin bolshevik nga i cili lindi Bashkimi Sovjetik si “katastrofa më e madhe e historisë ruse”.

Ivan Ilyn, filozofi aristokrat i cilësuar si teoricieni i “fashizmit rus”

Po kush ishte Ilyn dhe si ka ndikuar në mendimin politik të Putin?

I lindur në 1883 në një nga familjet aristokrate më të vjetra ruse, pasardhëse sipas legjendës të dinastisë vikinge Rurkid që themeloi kombin rus, ai ishte nipi i komandantit të pallatit perandorak të Kremlinit, pikërisht aty ku dominon sot “cari” Putin.

Ilyn cilësohet si një nga eksponentët më të rëndësishëm të Rusëve të Bardhë nacionalistë, që kundërshtuan në fushëbetejë dhe më pas në mërgim forcat bolshevike që më pas do të merrnin pushtetin.

Por kundërshtimi i tij ndaj teorive të Leninit dhe më pas Stalinit, nuk e penguan të kishte një admirim të madh për kombin rus, që sipas tij kishte një “mision në botë, si një nga kombet e vetme jo të korruptuara dhe dobëta në karakter”.

Sipas Ilyn, bolshevizmi e pengonte Rusinë në ketë mision hyjnor, dhe e vetmja mundësi politike ishte për të fitorja e fashizmit. Ideolog i një pushteti absolut dhe të padiskutueshëm të lidershipit, Ilyn, që kishte të ëmën gjermane dhe banoi me vite në Berlin,  më shumë se ambiciet hitleriane mbështeti teoritë sociale të Benito Mussolinit, të cilit nuk i mohoi kontributet deri në vdekje, në 1954.

Varri i Ivan Ilyn, i rikthyer në Rusi falë ndërhyrjes se Vladimir Putin

I cilësuar si filozofi i “fashizmit rus”, Ilyn ishte argument totalisht i ndaluar në Bashkimin Sovjetik, dhe u rikthye në librari dhe si figurë historike vetëm në dekadën e fundit, për meritë pikërisht të presidentit Putin, që sipas shumë burimeve është një admirues i flaktë i tij.

Edhe pse teoritë e Ilyn janë shumë më komplekse sesa një mbështetje e thjeshtë ndaj një figure diktatoriale, sipas studiuesve, Putin ka marrë të mirëqena vetëm disa pjesë dhe citate, ndër të tjerat ajo që thotë se “njerëzit guximtarë mund të ndryshojnë një realitet dështak, falë veprimeve të guximshme”.

Ndoshta kjo fjali mund t’i ketë dhënë kurajë presidentit rus për të urdhëruar sulmin ndaj Ukrainës, por mund të jetë edhe veprimi që mund ta fundosë atë.